“Miri i Xhikes”, padi Ylli Kelmendit
Armand Bajrami
Vëllezërit e Fatmir Ramës, personazhit të njohur edhe si "Miri i Xhikes", i vrarë në një atentat në vitin 2003, padisin në gjykatën e Tiranës, Ylli Kelmendin, një nga miqtë e vëllait të tyre të ndjerë. Shkak është bërë një banesë e pretenduar pronë e tyre, të cilën nëntë vjet më parë ia kanë lënë në përdorim mikut të tyre, Kelmendi. Një vit më parë, kur kanë kërkuar lirimin e banesës, vëllezërit Rama kanë hasur në kundërshtinë e Ylli Kelmendit. Të gjendur në të tilla kushte, ata janë drejtuar ta gjejnë zgjidhjen në gjykatë. Padia, me objekt "lirim dhe dorëzim sendi, si dhe të ardhurat nga përdorimi i tij", ku paditës janë Besnik e Luan Rama dhe palë e paditur Ylli Kelmendi, është depozituar dy ditë më parë në gjykatën e Tiranës. Për shqyrtimin e saj, shorti elektronik i gjykatës ka përzgjedhur gjyqtarin Asim Vokshi, ndërsa ende nuk është caktuar data e seancës së parë. Ylli Kelmendi njihet si një ndër miqtë e "Mirit të Xhikes", si edhe dëshmitar në atentatin ku ai u vra në vitin 2003.
PADIA
"Duke pasur parasysh marrëdhëniet e mira miqësore në vitin 2001, për nevoja të domosdoshme, të të paditurit (Ylli Kelmendi) e kemi lënë të banojë në banesën tonë private, që ndodhet në Tiranë, në rrugën 'Ali Visha' Nr.10/1, të regjistruar në Z.R.P.P Tiranë, me nr. pasurie 4/154, në zonën kadastrale 8160. Banesa përbëhet prej dy dhoma e një kuzhinë, shtesat që i janë bërë asaj, si edhe oborri, gjithsej një sipërfaqe prej 114 metra katror. Kemi rreth një vit që i kërkojmë të paditurit, që për nevojat tona të domosdoshme, ta lirojë dhe dorëzojë banesën e përmendur në certifikatën e pronësisë, shtesat që i kemi bërë asaj, si edhe truallin me oborr që ajo posedon. I padituri, pa asnjë shkak nuk pranon lirimin apo dorëzimin e sendit dhe vazhdon të qëndrojë në këtë banesë, në mënyrë të kundraligjshme, që nga momenti kur ne i kemi kërkuar të dorëzojë sendin. Jemi përpjekur disa herë që këtë çështje ta zgjidhim me mirëkuptim, por duke parë se i padituri nuk i përgjigjet kërkesës sonë, detyrohemi të bëjmë këtë kërkesë-padi. Në këto momente, për sa u tha më sipër, kërkojmë që ai të lirojë banesën, shtesat, si dhe të gjitha të ardhurat nga përdorimi i tyre, që nga dita e kërkimit që kemi bërë para një viti. Lumtemi gjykatës, që pasi ta shqyrtojë këtë çështje, ta zgjidhë atë sipas objektit të padisë", - thuhej në kërkesë- padinë e nënshkruar nga vëllezërit Besnik e Luan Rama.
Kelmendi, mik i ngushtë me "Mirin e Xhikes"
TIRANE - Ylli Kelmendi ka qenë një nga njerëzit e rrethit të ngushtë miqësor të Fatmir Ramës, i njohur ndryshe si "Miri i Xhikës", i cili u vra me armë zjarri mbrëmjen e 29 marsit 2003, në periferi të Tiranës. Për shkak të miqësisë së ngushtë mes tyre, shpeshherë Ylli Kelmendi dhe "Miri i Xhikes" qëndronin bashkë. Në fakt, kështu ka ndodhur edhe natën e vrasjes së pronarit të kompleksit "Kartodrom". Ylli Kelmendi ka qenë në tavolinë me Mirin e Xhikës, në momentin kur ndaj këtij të fundit është qëlluar me breshëri armësh nga jashtë lokalit. Plumbat kanë prekur menjëherë Fatmir Ramën, i cili nuk ka arritur të kryejë asnjë veprim, ndërkohë që në breshërinë e armëve, Ylli Kelmendi ka arritur të largohet nga tavolina dhe t`u shmanget të shtënave, edhe pse sipas policisë, rezulton se ai është kundërpërgjigjur me armë ndaj autorëve, por pa mundur t`i qëllojë ata. Ylli Kelmendi është thirrur si dëshmitar në gjykatën e Tiranës, në procesin e rigjykimit të vrasjes së Fatmir Ramës, por deri tani ai nuk është paraqitur për të dhënë dëshminë e tij.