E Diel, 1 Nëntor 2026

Sa na kushton trajtimi i gabuar i dhimbjes kronike

Apostol Vaso

Intervista/ Flet mjeku specialist në trajtimin e dhimbjes, Apostol Vaso.

Janë me dhjetëra ata qytetarë që kanë vuajtur për muaj të tërë dhimbje në pjesë të ndryshme të trupit: në shpinë, në shpatull, te kyçet e këmbëve e të duarve. Janë dendur me ilaçe nga njëri mjek te tjetri, por asnjë përmirësim. Problemi ka vazhduar po njësoj. Kjo tipologji dhimbjeje quhet dhimbje kronike. Zgjat më shumë se tre muaj në trupin e një individi dhe nuk është simptomë e një sëmundjeje tjetër, por problem më vete. Trajtimi i saj ka specifikë të veçantë. Për të trajtuar siç duhet dhimbjen kronike, më parë duhet ta njohësh. Në intervistën e tij për gazetën, mjeku specialist në trajtimin e dhimbjes kronike, Apostol Vaso, shpjegon çfarë është realisht dhimbja kronike dhe çfarë duhet të ndryshojë në trajtimin e saj.
Mund të na thoni çfarë është dhimbja kronike dhe çfarë kostoje ka ajo?
Do të doja që në fillim të sqaroja se koncepti i dhimbjes kronike, si një simptomë e një sëmundjeje tjetër, është i vjetruar. Më përparimin që ka bërë shkenca dhe vetë mjekësia, është vërtetuar se dhimbja kronike është një problem që duhet të shihet si i veçuar. Flasim për një dhimbje që zgjat më shumë se tre muaj te një person. Kostoja e saj sot llogaritet sa kostoja e sëmundjeve të zemrës, tumoreve dhe sëmundjeve të tjera të marra të gjitha së bashku. Në Europë kemi 100 milionë persona që vuajnë nga dhimbja kronike, 21% e të cilëve janë të paaftë për punë. Europës dhimbja kronike i kushton më shumë se 300 bilionë euro. Mbetet një nga problemet më të mëdha të buxhetit edhe për vetë qeveritë. Në SHBA kostoja arrin 635 miliardë dollarë në vit. Pra kemi të bëjmë me një problem që ka ndikim të madh ekonomik dhe social. Të ndalemi te dhimbja kronike. Kemi dy lloje dhimbjesh. E para është dhimbja akute, të cilën e njohim dhe e mjekojmë pas një operacioni, dëmtimi, pas një traume fizike. Dhimbja kronike, e cila shfaqet në një moment të caktuar, qoftë edhe pasojë e një traume, por zgjat më shumë se tre muaj. Trajtimi për këtë lloj dhimbjeje në Shqipëri është thuajse i paprekur në kurrikulat shkollore.
Kjo do të thotë se në Shqipëri dhimbja kronike nuk trajtohet si duhet?
Dua të them se trajtohet në mënyrë spontane. Jepen ilaçe pa kriter, nuk trajtohet me profesionalizëm duke gjetur burimin e kësaj dhimbjeje. Sepse ta njohësh dhimbjen është disiplinë mjekësore më vete. Prandaj ne përpiqemi ta trajtojmë dhimbjen sipas një skeme standarde, ndërkohë që shkenca dhe teknologjia kanë avancuar. Për ta thënë më thjesht, një i moshuar ka një dhimbje kyçesh. Fillimisht i jepet paracetamol, pastaj konsultohet me një tjetër mjek, që i shton edhe një medikament më të fortë. Sërish nuk ka efekt dhe pacienti e gjen veten me një tufë ilaçesh, por pa asnjë përmirësim. Ky koncept duhet të ndryshojë. Prandaj duhen  specialistë të mirëfilltë të dhimbjes. Të jesh mjek i trajtimit të dhimbjes është profil më vete.
Si e trajton dhimbjen kronike kjo kategori mjekësh?
Ka disa hapa. Në fillim bëhet vlerësimi i dhimbjes. Më pas nxirren mekanizmat e dhimbjes dhe përcaktohet lloji i saj. Pastaj vendoset strategjia e mjekimit në varësi të llojit të dhimbjes. Arrihet deri në kryerjen e procedurave mjaft të ndërlikuara me ndërhyrje në palcë, për të gjetur burimin e dhimbjes.
Ju thatë se jeni në dijeni të tratativave që shteti shqiptar po bën me Gjermaninë për të firmosur një marrëveshje që parashikon ngritjen e një qendre kërkimore unikale për dhimbjen, ku do të trajnohen edhe specialistë. Çfarë përfitimi do të kishim nga kjo qendër?
Është e vërtetë që marrëveshja pritet të firmoset dhe prek tri aspekte. E para, ndërtimi i një qendre kërkimore për dhimbjen, implementimin e dhimbjes si koncept dhe vendosjen në kurrikulat shkollore. Përfitimi është madhor. Ngritja e qendrës krijon plejadën e shkencëtarëve të rinj në Shqipëri, pasi kemi të bëjmë me një fushë multidisiplinore që nuk ndalet vetëm te mjekët, por edhe te punonjësit socialë apo psikologët. Përfitimi më i madh është për të sëmurët. Flasim për 30% të popullsisë sot që vuan nga kjo lloj dhimbjeje, e cila do të ketë një trajtim dinjitoz.

ZIRINA LLAMBRO

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›