Krenar Ahmeti, shkon shef rendi në Elbasan
TIRANE – Ish-shefi i Policisë Rrugore të Tiranës Krenar Ahmeti emërohet me detyrë në policinë e Elbasanit. Ahmeti është prezantuar dje në detyrën e re në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit, ku është emëruar në funksionin e shefit të rendit. Lajmi është konfirmuar nga burime zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit sipas të cilave emërimi i Krenar Ahmetit në Elbasan është bërë pas përfundimit të hetimeve lidhur me incidentin, që ai shkaktoi dhjetë ditë më parë në Tiranë, kur goditi njërën nga makinat e Gardës, që shoqëronte në eskortë Kryeministrin Sali Berisha. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, si dhe një komision përkatës i ngritur nga autoritetet e qarkullimit rrugor mësohet se kanë marrë masa administrative ndaj Krenar Ahmetit, duke vlerësuar se ai nuk ka kryer shkelje penale. Një vendim i tillë duket se i ka hapur rrugë emërimit të Krenar Ahmetit në Elbasan, ku ish-shefi i Rrugores së Tiranës është prezantuar dje, si shef rendi nga zyrtarët e policisë lokale. Prej më tepër se dy vjetësh Krenar Ahmeti ka drejtuar komisariatin e Policisë Rrugore të Tiranës, duke shkaktuar debate publike për ashpërsinë e masave që vendosi, por edhe për dy raste incidentesh gjatë kryerjes së detyrës. re. kr