Emigranti: Më rrahu polici grek
GJIROKASTER
Emigranti shqiptar në Greqi denoncon policinë greke për dhunë ndaj tij. Eqrem Malaj, që prej 17 vitesh jetonte në shtetin fqinj, pohoi se ngjarja ka ndodhur të hënën në Janinë, gjatë një konflikti fizik mes tij dhe një polici grek me uniformë. Sapo ka mbërritur në Kakavijë, 60-vjeçari nga Vlora ka denoncuar pranë autoriteteve shqiptare dhunën e pretenduar të ushtruar nga në dëm të tij, nga policia greke. “Emigranti ka marrë tre plagë të lehta në trup, si pasojë e ushtrimit të dhunës”, është shprehur për gazetën “Panorama” mjeku i urgjencës në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës, Dilaver Stroka. Sipas tij, 60-vjeçari është mjekuar në gishtin e vogël të krahut të majtë, në këmbën e majtë, si dhe në kokë. “Dhuna e ushtruar ndaj tij ka qenë me të vërtetë shtazarake dhe me mjete të forta”, shprehet mjeku Stroka. Ndërkohë, vetë i dhunuari sqaron ngjarjen duke shpjeguar edhe arsyen. Malaj thotë se ai kishte shkuar në Bashkinë e Janinës për dokumente qëndrimi, por aty rastësisht është ndeshur me një polic. Ky i fundit, me të marrë vesh se ishte shqiptar, e ka goditur me shkop gome dhe mjete të forta metali. “Plagët e marra janë shkaktuar si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj meje dhe kjo më shtyu të vija në Gjirokastër e të denoncoja dhunën e një polici”. Ndërkohë, ai ka mohuar të jetë keqtrajtuar nga ndonjë polic tjetër apo njësi policore pas incidentit. “Denoncimin nuk e kam bërë në Janinë për të vetmen arsye, pasi ata nuk do të besojnë një emigrant shqiptar, por një polic grek dhe kjo më ka shtyrë mua, që të denoncoj aktin e policit në vendin tim”, është shprehur për gazetën 60-vjeçari Malaj. Zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, Gentian Mullai pohoi se autoritetet e policisë lokale, pasi kanë marrë në konsideratë denoncimin e emigrantit të keqtrajtuar, kërkuan një takim bilateral me homologët grekë por nga ana e tyre këta të fundit, nuk kanë dhënë shenjë për realizimin e tij brenda një kohe të shkurtër. Shtetasi nga Vlora, jeton dhe punon prej 17 vitesh në Janinë së bashku me të shoqen dhe dy vajzat e tij. Ky ka qenë konflikti i parë i realizuar me forcat policore në Greqi. Policia greke vazhdon të kthejë mbrapsht emigrantë të paligjshëm nga territori i vet. Sipas burimeve zyrtare bëhet e ditur se në orët e para të mëngjesit të së martës, policia greke ka kthyer në Shqipëri përmes Stacionit Kufitar të Kakavijës nëntë emigrantë të paligjshëm, të cilët tentonin të hynin në brendësi të territorit grek. Klandestinët janë kapur në thellësi të territorit helen në tentativë për të vazhduar rrugën drejt qendrave të banuara në afërsi të kufirit mes dy shteteve. Të nëntë emigrantët e kthyer, nuk kanë qenë të dhunuar nga autoritetet policore greke çka dhe u pohua nga vetë ata.