Zogaj: Emërimi i Pollos në Gjirokastër, janë djegur etapat
Deputeti i Partisë Demokratike, Preç Zogaj, e konsideron surprizë vendimin e fundit të kryesisë për të emëruar Genc Pollon si kryetar të grupit të punës në Gjirokastër. Sipas tij, përderisa nuk është zyrtarizuar ende shkrirja e PD-së me PDR-në, me këtë vendim të forumit të demokratëve kemi të bëjmë me djegien e etapave. "Emërimi i Pollos ishte një surprizë për faktin se kemi dëgjuar që PDR do të shkrihet me PD-në, por nuk është realizuar akoma kjo gjë. Kështu që duket se është një djegie etapash emërimi i tij si kryetar grupi në Gjirokastër. Është një kapërcim etapash. Për pjesën tjetër duket se kriteri ka qenë të qenit anëtar kryesie i PD-së", u shpreh Zogaj në një prononcim për gazetën "Panorama". Lidhur me vendimin e Berishës për të drejtuar ai vetë grupin më të madh të punës, atë të Tiranës, Zogaj e sheh si normale dhe nuk e lidh në asnjë moment këtë vendim të kreut të demokratëve me kandidimin e Besnik Mustafajt. Sipas deputetit të PD-së, tradicionalisht kryetari i Partisë Demokratike ka treguar një vëmendje të veçantë ndaj zgjedhjeve në Tiranë. Gjithsesi, sipas Zogajt, Berisha duhet të ruajë distancën ndaj kandidatëve që përfaqësojnë historinë në PD. "Unë në disa dalje publike për këtë rast kam shprehur mendimin se do të ishte mirë që kryetari i partisë të ruante ekuidistancën ndaj kandidatëve që përfaqësojnë historinë apo pjesë të historisë së PD-së. Kryetari i partisë nuk mund të mbajë ekuidistancë me kandidatë që mund të improvizohen papritur, pasi në bazë të statutit të drejtën e kandidimit e kanë shumë njerëz", theksoi Zogaj. Sipas tij, "kur flitet për kandidatë që përfaqësojnë historinë e plotë të vjetër dhe të re të PD-së, mendoj se pozicioni i ekuidistancës duke garantuar një garë të ndershme, por duke e lënë garën 'free' do të ishte pozicion në të mirë të kohezionit të familjes demokrate në Tiranë, që është një familje e madhe, që përfaqëson një lloj kostelacioni natyrash, orientimesh, historish".