Mustafaj: Berisha në Tiranë për gjendjen katastrofike të PD
ADI SHKEMBI
Marrja nga Kryeministri Berisha e drejtimit të grupit të punës për zgjedhjet në Tiranë, tregon gjendjen katastrofike ku ndodhet kjo degë. Kështu e ka komentuar dje kandidati i vetëshpallur për kryetar të degës së Partisë Demokratike në Tiranë, Besnik Mustafaj, vendimin e fundit të kryesisë për përcaktimin e kryetarit të PD-së në krye të grupit të punës në këtë degë. Në një prononcim për gazetën "Panorama", ish-ministri i Jashtëm, deputet i kryeqytetit, shprehet se ky angazhim i Kryeministrit Berisha tregon faktin se në ç'gjendje është katandisur dega më e madhe e demokratëve. "Unë konstatoj me këtë se zoti Berisha është plotësisht i ndërgjegjshëm për gjendjen katastrofike që ka dega e Tiranës dhe që ai me eksperiencën e tij të gjatë në politikë dhe me autoritetin e tij si kryetari i partisë, do të ndërhyjë që dega e PD-së së Tiranës do të dalë nga ajo gjendje, ku e kanë katandisur drejtuesit aktualë të kësaj dege dhe ta vitalizojmë", theksoi Mustafaj. "Unë ndjehem i qetë nga kjo zgjedhje që ka bërë kryetari Berisha, që është një zgjedhje për herë të parë me eksperiencën e tij politike", vijoi më tej ish-ministri i Jashtëm. I pyetur nëse i trembet faktit që Kryeministri Berisha mund të ndikojë në zgjedhjen e kryetarit të ri të PD-së së Tiranës, ish-kandidati për bashkinë e kryeqytetit në vitin 2000 tha: "Nuk kam asnjë sinjal se zoti Berisha ka preferenca për kandidatë të caktuar". Prej disa javësh, Besnik Mustafaj ka shpallur kandidaturën për të drejtuar degën e PD-së së Tiranës. Por ashtu siç edhe është shprehur ai, për këtë nuk është konsultuar me Kryeministrin Berisha, por me statutin e Partisë Demokratike. "Në bazë të statutit të Partisë Demokratike çdo anëtar i saj mund të kandidojë. Unë e kam marrë këtë vendim, pasi e kam pjekur fort me veten time, kam parë të gjitha anët e mira dhe të dobëta të këtij veprimi tim politik", është shprehur Mustafaj. Nga ana tjetër, Kryeministri Berisha ka lënë të kuptohet se nuk ka pasur asnjë konsultim mes tij dhe Besnik Mustafajt për këtë garë, teksa është shprehur në një intervistë televizive se ish-ministri i tij është konsultuar me statutin. Ndërkohë prej pak kohësh është përmendur edhe emri i Gjergj Bojaxhiut, drejtori aktual i KESH-it, si një kandidaturë potenciale, kësaj here me mbështetjen e Berishës, për të drejtuar degën e kryeqytetit.