E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodi ri, PD-PS pakt për filmimin e numërimit të votave

 

Numërimi i votave do të monitorohet nga kamerat e vëzhguesve. Kjo mendohet, se do të jetë metoda e re që pritet të paraqitet në komisionin e posaçëm të Reformës Zgjedhore. Mekanizmi i ri pritet të përdoret për herë të parë në këtë proces votimi për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas projektit, të diskutuar ndërmjet ekspertëve socialistë dhe demokratë "çdo votë që numërohet drejtohet në kamera dhe ajo shfaqet në monitor". Palët e interesuara edhe nëse nuk janë të përfaqësuara në grupet e numërimit do të kenë mundësi që përmes monitorit të kontrollojnë çdo votë gjatë numërimit. I gjithë procesi i numërimit do të regjistrohet dhe nëse partitë politike do të kenë kontestime atëherë kasetat filmike do t'i shkojnë përpara Gjykatës për verifikim. Bashkëkryetari i komisionit të Reformës Zgjedhore, demokrati Ilir Rusmali, konfirmoi për gazetën "Panorama", se "Eshtë në dijeni se ka një marrëveshje për të përdorur një teknikë të tillë në numrin e votave". Një tjetër çështje është edhe ajo e përbërjes së komisioneve, që do të merren me administrimin e votave. Socialistët kanë kërkuar komision teknicienë, por një gjë e tillë nuk mund të realizohet, pasi edhe në këto zgjedhje mendohet të ketë trupe politike administrative të votave. Numri i anëtarëve, sipas rekomandimit të OSBE-së, pritet të jetë me 7 anëtarë, me përfaqësues nga të dyja kampet politike. Ndërsa sipas burimeve mësohet, se ndarja e numrit të deputetëve do të jetë sipas skemës të përafrimit me numrin e votuesve. Kjo duke realizuar një numër të përafërt të votuesve, duke iu shmangur eksperiencave të mëparshme të hidhura elektorale, që i është bërë ndarjes së zonave. Përplasjet mes palëve duket se është çështja e mënyrës së ndarjes së mandateve të deputetëve, të llogaritjes së votave mbi bazën një përqindjeje të caktuar të votave. Një pjesë e mirë e partive politike kanë kërkuar, që të ketë një prag kombëtar për këtë çështje. Por dy partitë e mëdha ende nuk kanë dhënë konsensusin për një çështje të tillë. Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore i mbaron mandati në muajin tetor të këtij viti. Brenda një jave, komisioni duhet të paraqesë për votim ndryshimet e reja të Kodit Zgjedhor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›