E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Delijorgji punësoi fëmijë për çmontimin e predhave”

• Prokuroria deklaroi dje se Mihal Delijorgji nuk ka ushtruar kompetencat e tij si administrator i fabrikës së Gërdecit, duke kërkuar në Gjykatën e Apelit mbajtjen e biznesmenit në burg.

 Sipas akuzës, Delijorgji lejoi punësimin e të miturve dhe grave të papërgatitura dhe shkeljen e një sërë rregullash të tjera të sigurisë, të cilat u bënë shkak për tragjedinë e 15 marsit në Gërdec. Përfaqësuesja e Prokurorisë tha se, masa e sigurisë “burg pa afat” ndaj dy të arrestuarve për Gërdecin duhet të mbetej në fuqi deri në përfundim të hetimeve, për faktin se vepra penale për të cilën ata akuzohen parashikon një dënim maksimal deri në 10 vjet burg. Gjatë seancës së djeshme organi i akuzës i mëshoi më fort faktit se në fabrikën e Gërdecit punonin fëmijë dhe gra të papërgatitur për punën që do të bënin. Ata kryenin procese pune të rrezikshme, që duhet të kryhen nga ushtarakët, ndërsa dje në gjyq u përmend vetëm shumë pak akuza e shkeljes së rregullave të lëndëve plasëse. Sipas prokurores së çështjes, kjo gjë është vërtetuar edhe nga videot që janë bërë me celular para shpërthimit në fabrikë dhe që janë transmetuar edhe nëpër media. Pikërisht për këtë fakt sipas saj, Delijorgji duhet të qëndrojë në qeli, pasi me mosveprimet e veta nuk ka marrë masa që të mos punojnë të miturit dhe gratë në procese të vështira pune dhe që paraqesin rrezikshmëri të lartë.
Seanca
Administratori i “Alba Demil”, Mihal Delijorgji dhe drejtori i përgjithshëm i kësaj shoqërie, Dritan Minxolli kishin firmosur dje deklarata për të mos marrë pjesë në gjyq duke ngarkuar avokatin e tyre, Arben Prifti për t’i përfaqësuar në mungesë. Trupi gjykues që shqyrtoi kërkesën e mbrojtjes për zbutje të masës së sigurisë drejtohej nga kryetari i kësaj gjykate, Metush Saraçi, ndërsa anëtarët e tij ishin Lefter Jahaj dhe Bashkim Caka. Gjatë momentin kur avokati i dy të pandehurve tha se, ende nuk ekzistonin prova në ngarkim të klientëve të tij, por vetëm dyshime, gjykata e pyeti nëse ishte apo jo provë fakti që në të ashtuquajturën fabrikë punonin të mitur dhe gra jashtë rregullave të sigurisë teknike. Sipas gjykatës, pikërisht me veprimet dhe mosveprimet e tij, Delijorgji dhe Minxolli e ngarkojnë veten me përgjegjësi penale, ndaj masa e sigurisë së tyre, vendosur më 19 mars duhet të mbetet në fuqi. Ndërkohë dy ditë më parë ndodhi e njëjta gjë edhe me të bashkëpandehurin me ta Ylli Pinari, ish-drejtori i MEICO.
Mbrojtja
Gjatë seancës së djeshme të sigurisë në ngarkim të Delijorgjit dhe Minxollit avokati i tyre Arben Prifti, i cili i përfaqësoi në mungesë pohoi se, “arresti në burg” vendosur tre javë më parë nga Gjykata e Tiranës duhet të ndryshohej në një masë më të lehtë, pasi sipas tij, nuk ekzistonin kushtet që të vendosej masa ekstreme. Mbrojtësi pohoi se, asnjë prej klientëve të tij nuk kishte tentuar të largohej nga Shqipëria, pasi i kishin të gjitha mundësitë, përkundrazi ata të dy ishin vënë në dispozicion të hetimit, duke i ofruar Prokurorisë të gjitha të dhënat që dispononin. Avokati shtoi më tej se, dy klientët e tij të paraburgosur nuk kishin bërë as tentativa për të kryer krime të tjera, apo të zhduknin prova të tragjedisë së Gërdecit.
Argumentet
Gjykata e Tiranës në vendimin e shpallur më 19 mars, dhe i lënë në fuqi dje nga Apeli argumenton se, masa e sigurisë “arrest në burg” për tre të pandehurit vendoset për faktin se ekzistojnë shkaqe të rëndësime që rrezikojnë marrjen ose vërtetësinë e provave. Sipas gjykatës, hetimi duhet të jetë i plotë dhe gjithëpërfshirës, duke hetuar çdo pistë të mundshme për zbardhjen e asaj që ka ngjarë në Gërdec. “Në këtë prizëm të pandehurit duhet të jenë në paraburgim me qëllim që të jenë në dispozicion të autoritetit procedues dhe të mos vënë në rrezik vërtetësinë e provave që mund të dalin gjatë hetimit”, thuhet në vendimin gjyqësor. Në fund gjykata citon edhe se, në këtë vendim u vlerësuan faktet se rrjedhojë e shpërthimit në Gërdec, ishin pasojat tejet të rënda që janë: vdekja e disa shtetasve, plagosja e rëndë e shumë tjerëve, si dhe dëmi financiar dhe fakti që kjo ndodhi në një zonë të banuar me popullsi civile.

Tragjedia e Gërdecit, deri tani u arrestuan 3 persona
TIRANE - Mihal Delijorgji, administratori i “Alba Demil”, drejtori i kësaj shoqërie Dritan Minxolli dhe kreu i ndërmarrjes shtetërore të Ministrisë së Mbrojtjes, MEICO, Ylli Pinari, u ndaluan mbrëmjen e 17 marsit, dy ditë pas tragjedisë së Gërdecit. Këta u akuzuan për shkelje të rregullave të sigurisë teknike për lëndët plasëse, ose e thënë ndryshe sipas Prokurorisë, këta tre të pandehur me veprimet dhe mosveprimet e tyre akuzohen të jenë shkaktarë të aksidentit tragjik të mesditës së 15 marsit, ku humbën jetën të paktën 25 vetë dhe u plagosën 296 të tjerë. Aktualisht tre të pandehurit ndodhen në paraburgim në kryeqytet, ndërsa grupi special hetimor i organit qendror të akuzës po grumbullon prova dhe fakte në ngarkim të tyre, si dhe po heton për të gjetur fakte ndaj tyre dhe personave të tjerë që mund të kenë gisht në katastrofën e rëndë. Gjithashtu mbi Delijorgjin, Pinarin dhe Minxollin po hetohet edhe fakti i punësimit të personave të mitur dhe grave të painstruktuara në procesin e demontimit të municioneve. Ndërkohë, ende jo zyrtarisht, Prokuroria sqaron se, po mbledh prova për të ngritur ndaj Delijorgjit dhe Pinarit edhe akuzën e përfshirjes së tyre në një linjë ndërkombëtare të trafikimit të fishekëve dhe armatimeve. Paraprakisht për këtë, mbrojtësit e të pandehurve pohojnë se, është akuzë e pabazë dhe se asnjë prej klientëve të tyre nuk është implikuar në ngjarje të tilla.                                    fa.ma.

Gërdeci, miratohet akti normativ
Kuvendi miratoi të enjten aktin normativ “Për një ndryshim në ligjin ‘Për buxhetin e shtetit të vitit 2008’”, në kuadër të masave të qeverisë në mbështetje të të dëmtuarve nga shpërthimi në Gërdec të bashkisë së Vorës. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho, u shpreh se “akti normativ për rishikimin e buxhetit të shtetit për vitin 2008, është përgatitur në kuadër të masave urgjente të qeverisë për t’i ardhur në ndihmë popullatës së zonave të prekura nga shpërthimi i ndodhur mesin e muajit të kaluar”. Sipas tij, vlera totale për ndërtimin, riparimin e shtëpive dhe zëvendësimin e pajisjeve të dëmtuara, arrin në rreth 1.57 miliardë lekë. “Rreth 622 milionë lekë do të zbriten nga fondi i kontigjencës i vitit 2008 prej 4 miliardë lekësh, 800 milionë lekë do të zbriten nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave prej 1.8 miliardë lekësh dhe rreth 150 milionë lekë janë donacione”, theksoi demokrati. Ndërsa ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, theksoi se vlerësimi i dëmeve është bërë mbi bazë ligjore, me kujdesin më të madh të mundshëm dhe në prani të familjarëve. Akti normativ u miratua në Kuvend me 61 vota pro dhe 1 kundër. Nënkryetari i grupit të PS-së, Erion Braçe, deklaroi se “PS-ja do të hartojë një nismë të saj ligjore për dëmshpërblimin në masën 100 për qind të dëmeve materiale të shkaktuara nga tragjedia e Gërdecit”. Ai theksoi se përdorimi i fondit të kontigjencës nga Këshilli i Ministrave do të ndikojë në zbehjen e rolit të kontrollit parlamentar mbi transparencën dhe efektivitetin e tij. Ndërsa ministri Olldashi ka deklaruar se, “inventarizimi i dëmeve është bërë në prani të familjarëve të dëmtuar dhe ata kanë pranuar. Vlerësimi financiar, ekuivalentimi i këtij dëmi fizik është bërë duke marrë referencën më të mirë ligjore që kemi sot, që është kostoja zyrtare e ndërtimit për metër katror për qytetin dhe jo për zonat urbane”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›