E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burrel, ndërron jetë pas apelit i sëmuri nga tiroidet

Ndërron jetë pa asnjë tentativë për ta shpëtuar 37-vjeçari nga komuna Gurrë e Matit, Afrim Kadiu. 

BURREL/ ENVER DOÇI

 Babai i tre fëmijëve, sëmundja e rëndë e të cilit u shfaq pas dy operimeve të kryera për gjëndrat tiroide, vdiq pardje në spitalin e Burrelit. Pak javë më parë, nëpërmjet gazetës familjarët e tij kërkuan ndihmë që shteti të ndihmonte në transferimin drejt një spitali të specializuar, duke akuzuar mjekun kirurg si përgjegjës për fatin e Afrimit. I vëllai, Shkëlqimi iu drejtua publikisht institucioneve shtetërore dhe shoqatave joqeveritare për ndihmë, pasi kishin marrë një përqindje sigurie se mjekët turq mund ta shpëtonin nga vdekja. Dy vjet më parë Kadiu u operua në kryeqytet për gjëndrat tiroide, por përkeqësimi i gjendjes së tij shëndetësore bëri që për herë të dytë pas pak muajsh të rikthehet në sallën e operimit. Familjarët akuzuan kirurgun në QSUT, M.Agolli për gjendjen e rëndë të 37-vjeçarit, i cili në operacionin e dytë humbi dhe zërin. Që nga momenti kur vëllai zuri shtratin, pa dhënë asnjë shenjë përmirësimi, Shkëlqimi ka nisur të kërkojë ndihmë, por askush nuk ia ofroi atë. Dhjetë ditë më parë familja Kadiu u detyrua ta shtronte Afrimin në spitalin e Burrelit, por gjendja e tij shëndetësore erdhi duke u përkeqësuar nga dita në ditë, derisa ndërroi jetë në ambientet e tij. Sipas familjarëve, një javë më parë vëllai i Afrimit është takuar me zonjën Liri Berisha, pas dy letrave të nisura në adresë të saj, duke i kërkuar ndihmë për jetën e tij. Mësohet se zonja Berisha, pas një kontakti telefonik me mjekun që e operoi dy herë Afrim Kadiun, i thotë Shkëlqimit se sëmundja e vëllait kishte përparuar shumë dhe ndihma e shtetit ishte e kotë. Pas humbjes së jetës së 37-vjeçarit, tashmë njerëzit e tij të afërm i luten strukturave shtetërore dhe shoqatave të ndryshme humanitare të ndihmojnë me ç'munden tre fëmijët jetimë të Afrim Kadiut. Një javë më parë komuna Gurrë i dhuroi familjes Kadiu 50 mijë lekë të reja për të përballuar shpenzimet spitalore, por tashmë familja e tij është në gjendje më të vështirë së kurrë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›