E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Qeveria të kërkojë ftesën në BE”

Partia Socialiste i kërkon qeverisë të parashtrojë zyrtarisht kërkesën për anëtarësim në BE në fillim të vjeshtës. 

Aristir Lumezi

Dje gjatë një konference për shtyp, kryetari i selisë rozë, Edi Rama bëri publike rezolutën që deputetët socialistë do të paraqesin në Kuvend për domosdoshmërinë e paraqitjen së kërkesës për t'u bërë anëtare e BE-së. "Partia Socialiste i kërkon me ngulm qeverisë shqiptare të kryejë me përpikmëri të gjitha detyrimet që burojnë nga roli i saj kushtetues në përmbushjen e kërkesave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, të përshpejtojë hapat për të realizuar procesin e prodhimit të pasaportave biometrike e të kartave të identitetit dhe të forcojë e modernizojë regjimin kufitar, duke kërkuar rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, si domosdoshmëri drejt liberalizimit të plotë të vizave për qytetaret e qytetarët e Shqipërisë", u shpreh Rama. Për kreun socialist, anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, do të ishte përmbushja e një vullneti të shqiptarëve. "Shqipëria ka humbur shumë kohë të vyer për shkak të një politike të vjetër dasish e konfliktesh me kosto të lartë për vendin", tha kreu socialist. Duke vënë në plan të parë interesat e Shqipërisë, Rama deklaroi se, "Partia socialiste është gati të bashkëpunojë me të gjithë faktorët politikë dhe shoqërorë për rezultate konkrete në pavarësimin funksional të sistemit të drejtësisë, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në organizimin e zgjedhjeve të lira". Rezoluta e socialistëve do të dorëzohet në Kuvendin e Shqipërisë dhe për këtë Rama ftoi Kuvendin ta miratojë atë, duke e parë si një akt të vullnetit të të gjithë shqiptarëve e shqiptareve, kudo që janë". Pas paktit për drejtësinë socialistët kanë ndryshuar mënyrën e bërjes së opozitës, duke dhënë konsensus për bashkëpunime dhe fryme të përbashkët me maxhorancën. Edhe në rastin e ftesës për në BE, socialistët shprehin vullnetin e tyre se do të kontribuojnë në të gjitha reformat që BE kërkon nga Shqipëria. "Partia Socialiste rishpreh vullnetin e plotë për të realizuar pa humbur kohë reformën elektorale, përmes hartimit të një Kodi Zgjedhor të ri e koherent me ambicien e qytetarëve të Shqipërisë për zgjedhje të standardeve evropiane, duke kërkuar që të gjitha forcat politike të shprehin vullnet konstruktiv dhe të ofrojnë kontributin e tyre në përmbushjen e këtij detyrimi jo vetëm ndaj popullit shqiptar, por edhe ndaj familjes evropiane", u shpreh Rama. Kreu socialist, në deklaratën e djeshme kërkoi që politika shqiptare për shkak të aspiratave evropiane, duhet të shkëputet nga e kaluara. "Duke parë nga e ardhmja e jo nga e shkuara, duke konsideruar si strategjike interesat kombëtare e jo interesat partiake, duke respektuar aspiratën legjitime të shqiptarëve e shqiptare për të qenë pjesë integrale e familjes evropiane dhe programet e të gjitha forcave politike në Shqipëri për integrimin e plotë të atdheut tonë në Bashkimin Evropian", vijoi Rama.

Qipro Ratifikon MSA me Shqipërinë

Qipro është vendi i 23-të, që ratifikon MSA-në e Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Kjo u bë e ditur përmes një bisede telefonike mes kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli dhe Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Qipros, Marios Garoyian, i cili i përcolli lajmin, që Asambleja Parlamentare e Qipros, sapo votoi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. "Garoyian i shprehu zonjës Topalli kënaqësinë e përmbushjes së premtimit të bërë gjatë takimeve, që dy homologët zhvilluan gjatë Konferencës Politike të Kryetarëve të Parlamenteve në Strasburg dhe në takimin mbi "Integrimin e Vendeve të Ballkanit Perëndimor", zhvilluar në Bruksel në këtë fillimjavë", thuhet në njoftimin për shtyp.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›