Vlorë, aksidenton të bijën për vdekje
Vlorë- Ka qenë duke nxjerrë makinën nga banesa, por ka aksidentuar për vdekje të bijën vetëm 3-vjeçare. Ngjarja e rëndë ndodhi dje në qytetin e Vlorës, kur vogëlushja i kishte humbur vëmendjes së familjes dhe kishte vrapuar drejt makinës së të atit. Për fat të keq, ky i fundit duke i dhënë indietro automjetit, nuk e ka parë dhe vajza ka mbetur poshtë rrotave të makinës me dëmtime shumë të mëdha.
Sipas burimeve zyrtare të policisë ngjarja ndodhi në lagjen “1 Maji” të qytetit të Vlorës. Mësohet se 34-vjeçari, Viktor Rapushi po dilte me makinë nga vendi ku kishte parkuar, pranë banesës së tij dhe po dilte për në rrugë. “Teksa po ecte me indietro vajza e tij tre vjeçe F. Rapushi ka shkuar pas makinës së babait të saj”- thonë burimet zyrtare të policisë, duke shtuar se 34-vjeçari nuk ka arritur ta vërë re vajzën. Ajo, sipas dëshmisë së dhënë në polici ka qenë në rrotat e pasme të makinës, e si rrjedhim ka vijuar të ecë. Më tej rrota e pasme e automjetit tip fuoristradë me ngjyrë të zezë, me targa VL 8577 B, ka shtypur 3-vjeçaren. Vajza, sipas policisë ka marrë goditje fatale në kokë. Menjëherë babai e ka dërguar vajzën e aksidentuar te urgjenca për ndihmë të parë. Sipas mjekëve të urgjencës, gjithçka ka qenë e kotë, pasi 3-vjeçarja ka ndërruar jetë. Më pas, vajza është dërguar në morgun e spitalit, ndërsa nga ana e policisë ngjarja është cilësuar aksidentale. Automjeti i Viktor Rapushit, mësohet se është shoqëruar në polici. “Ndërsa drejtuesi i mjetit menjëherë pas ngjarjes është marrë në pyetje”- thonë burimet policore, që sqarojnë se ai do të hetohet në gjendje të lirë për aksidentin e ndodhur.