E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbahet peng në bagazh për 2 orë, arrestohen tre persona

DURRES – Një 29-vjeçar nga Manëza është mbajtur peng dhe keqtrajtuar nga tre të rinj me të cilët ishte konfliktuar për motive të dobëta. Sipas Policisë, tre të rinjtë tashmë të arrestuar, Izmir Allçi 20 vjeç, Selim Leba 22 vjeç dhe Albion Lloti 21 vjeç, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë marrë peng për disa orë shtetasin me iniciale I.B 29 vjeç, banor i fshatit Manëz. Mësohet se 29-vjeçari disa ditë më parë ka debatuar dhe ka qëlluar për motive të dobëta një prej bashkëfshatarëve të tij. Me sa duket, 29-vjeçari duke qenë edhe më i madh në moshë se kundërshtari i tij ka dalë fitimtar, por vetëm në pjesën e parë të sherrit, pasi pjesa e dytë është zhvilluar disa ditë më vonë. Pikërisht ditën e shtunë të javës së shkuar 3 të rinjtë janë organizuar dhe janë nisur drejt fshatit Manëz, për të marrë hak për shokun e tyre. Sapo e kanë parë 29-vjeçarin, tre të rinjtë me mjete të forta në duar kanë qëlluar në drejtim të tij duke i shkaktuar plagë të rënda në kokë e trup. Tre të rinjtë e kanë mbajtur për disa orë peng 29-vjeçarin të fshehur në bagazhin e mjetit të tyre e më pas e kanë dhunuar me mjete të forta në pjesë të ndryshme të trupit. Sipas Policisë, Izmir Allçi, Selim Leba dhe Albion Lloti akuzohen për veprën penale të heqjes së paligjshme të lirisë, kryer në bashkëpunim. Me anë të një njoftimi për shtyp, Policia e Durrësit njoftoi se arrestimi i tre të rinjve është kryer, sepse më datë 21.04.2012, në bashkëpunim mes tyre kanë mbajtur peng për dy orë 29-vjeçarin nga Manëza. Ndalimi i këtyre shtetasve u bë për arsye se nga veprimet hetimore të kryera, rezultoi se me datë 21.04.2012, rreth orës 23:30, të tre këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë mbajtur në bagazhin e automjetit tip Golf me targa DR 2459 F për rreth dy orë, duke e transportuar në fshatrat Shkafane, Rrotull e Manëz dhe keqtrajtuar me mjete të forta në trup 29-vjecarin I.B., banor i fshatit Manëz, thuhej ndër të tjera në njoftimin e Policisë. Për pasojë, nga keqtrajtimi që i është bërë nga tre të rinjtë, 29-vjeçari ka pësuar dëmtime të rënda në pjesë të ndryshme të trupit dhe aktualisht ndodhet në ambientet e spitalit të Durrësit nën trajtim mjekësor, nga ku mjekët thonë se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.                         l.m

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›