Medvedev: Besoj tek Obama, por dua propozime konkrete
Rusia ka deklaruar se pret “propozime konkrete” nga ana e administratës amerikane të Presidentit Barak Obama, për të gjetur zgjidhjen e divergjencave mbi planin amerikan të mbrojtjes raketore në Evropë. Deklarata e Presidentit rus, Dimitri Medvedev u citua nga një zëdhënës i Kremlinit. “Kam besim tek administrata e re amerikane sepse në këtë drejtim mbi këtë çështje po tregon më shumë krijimtari dhe po sillet në mënyrë më miqësore”, tha Presidenti rus në një intervistë me median spanjolli të referuar nga Kremlini. “Ne tashmë kemi marrë sinjale pozitive nga kolegët amerikanë. Presin që këto sinjale pozitive të kthehen në propozime konkrete”, tha Medvedev duke shtuar se ka shpresa që çështja të diskutohet edhe gjatë takimit të tij me Obamën, në një samit të G20-ës në Londër, i cili do të zhvillohet më 2 prill. E gjithë çështja bazohet në një plan të filluar nga administrata Bush, që parashikonte instalimin e një radari dhe mburojave raketore në Republikën Çeke dhe Polonia, që gjë ka irrituar Moskën pasi beson se ky sistem do të jetë një kërcënim i drejtpërdrejtë për të dhe nuk do të jetë një sistem për t’u mbrojtur nga Irani siç është ‘justifikuar’ administrata amerikane e Presidentit Bush. Ndërkohë Presidenti Obama i ka bërë thirrje botës të përballet me çështjet e energjisë bërthamore, por ekspertët thonë se sfida e tij më e madhe do të jetë hartimi i rregulloreve të reja për të ndihmuar Agjencinë për Energji Bërthamore, të kontrollojë materialet bërthamore nga të cilat mund të ndërtohen armë. Më shumë se tetë nga 10 shkencëtarë ranë dakord gjatë një ankete të fundit se planeti tokë po ngrohet. Dhe ndërsa disa studiues paralajmërojnë se planeti po i afrohet një krize klimatike, ekspertë bërthamorë vënë gishtin mbi një tjetër krizë. Shqetësimi i tyre është kërcënimi bërthamor, pasi, shtete të ndryshme mund t’i hedhin sytë nga energjia bërthamore për të shmangur dëmtimin e ambientit, por disa nga këto mund të ndërtojnë armë bërthamore. Italia, ndër vendet më të mëdha importuese të naftës dhe gazit natyror, ishte një nga 12 shtetet që njoftoi se kishte në plan të ndërtonte 34 objekte të reja bërthamore.
Deklarata në SHBA: Irani gati për armë bërthamore
Zyrtarë të lartë amerikanë kanë deklaruar se Irani ka kapacitetin e duhur për të ndërtuar një armë bërthamore. Deklarata u bë nga admirali Mike Mullen, kreu i Forcave Amerikane të nivelit të lartë. “Besojmë se tashmë Irani do të ketë arritur sasinë e duhur të materialit për prodhimin e një arme bërthamore”, tha ushtaraku i lartë në një program televiziv të CNN. Mullen ka shtuar se “Dhe një Iran me armë bërthamore përbën një lajm shumë të keq, jo vetëm për rajonin por për të gjithë botën”. Sipas një raporti nga Aiea, të publikuar dy javë më parë, Irani ka mbledhur rezerva nukleare të padeklaruara nga të cilat në shifrat zyrtare përmendet vetëm një e treta. Deklarata e Mullen është kundërshtuar nga Sekretari i Mbrojtjes, Robert Gates, i cili tha se sipas tij, Irani është ende larg krijimit të një arme bërthamore. “Ata nuk janë pranë një arme dhe kështu do të jetë edhe për ca kohë”, tha Gates duke shtuar se SHBA do të vazhdojë të sanksionojë Iranin, por do të shfrytëzojë edhe me BE-në mundësinë për ta “larguar këtë vend nga ky program”. Shanset tona për të pasur sukses janë shumë më mirë tani që nafta vlen 35 apo 40 dollarë, krahasuar me pozitën e tyre, kur nafta shkoi 140 dollarë sepse për këtë program duhen kosto dhe ata kanë sfida ekonomike të mëdha brenda vendit”, tha Gates.