Burrel, shtatorja e Zogut peng në prag të fushatës
BURREL/ HASAN PASHA
Fushata e zgjedhjeve sjell përplasjen mes legalistëve të Matit dhe forcave të tjera politike në këtë qytet. Kjo për shkak të vonesës, që po i bëhet vendosjes së shtatores së ish-mbretit Zog, në sheshin “Demokracia”, aty ku u caktua muaj më parë nga Këshilli Bashkiak. Nëse atëherë zyrtarët vendorë të Bashkisë Burrel dhe një pjesë e këshilltarëve u konfliktuan publikisht mes tyre për spostimin e bustit të heroit tonë kombëtar dhe vendosjen aty të shtatores të ish-mbretit, tani vetë ata nuk po bien dakord që mbreti Zog të zërë vendin që iu dha. Shtatorja e ish-mbretit, e krijuar falë sponsorizimit nga përkrahës të monarkisë dhe biznesmenë matjanë ka përfunduar prej tre muajsh nga një studio private në Tiranë. Legalistët kanë bërë publik dhe maketin e kësaj shtatoreje, 5 metra të lartë, e cila tregon mbretin në këmbë, me rroba ushtarake e me shpatë në dorë. Këshilli Bashkiak, me propozim të specialistëve të fushës, vendosi që shtatorja të vendosej në sheshin “Demokracia”, aty ku forcat e djathta politike të Matit zhvillojnë tubimet e tyre. Pikërisht kjo çështje ka ngjallur debate në degën lokale të Partisë Demokratike. Në mbledhjen e fundit të kryesisë së kësaj partie mësohet se “u është kërkuar llogari vendorëve pse kanë lëshuar sheshin e mitingjeve”. Prej disa muajsh, KRRT-ja e bashkisë nuk e ka vënë fare në rend të ditës vendimin për bustin, ndonëse është kërkuar disa herë nga legalistët dhe LZHK-ja. Burime të sigurta informacioni pranë PLL-së Matit sqarojnë se dy janë arsyet pse vonohet qëllimisht vendosja e shtatores së ish-mbretit Ahmet Zogu. Së pari, çështja lidhet me fushatën që sapo ka nisur. Demokratët, sipas tyre, nuk duan që votat e tyre të rrjedhin tek partitë e tjera të djathta. Duke montuar shtatoren në qendër të Burrelit legalistët shpresojnë të sigurojnë më shumë vota, ndërkohë demokratët nuk e tolerojnë një gjë të tillë. Së dyti, debati është ndezur për diçka të pakuptimtë. “Nëse shtatorja do të vendoset ashtu siç kanë propozuar arkitektët, me fytyrë nga hyrja e qytetit (agjencia e udhëtarëve) ndodh që njerëzit VIP që drejtojnë mitingjet të kenë përballë kurrizin e shtatores, gjë që nuk pranohet nga demokratët”. Kështu pohuan anëtarë të kryesisë së PLL-së së Matit, të cilët edhe ditët e fundit u kanë kërkuar vendorëve të mbajnë premtimin për vendosjen e shtatores së Mbretit në qendër të qytetit. Nëse shtatorja do të vendoset në sheshin “Demokracia”, të djathtët mësohet të jenë shprehur se tubimet do të zhvillohen vetëm në stadiumin “Liri Ballabani” të qytetit të Burrelit. “Për ne legalistët pak rëndësi ka ku do të zhvillohen mitingjet elektorale të partive politike, në sheshin ku do të vendoset shtatorja e mbretit apo diku gjetkë, e rëndësishme është të mos na zvarrisin pafund për një gjë të drejtë, diçka që është miratuar me konsensus nga Këshilli Bashkiak”, këmbëngulën ideatorët e përjetësimit të mbretit me një shtatore, fati i të cilës nuk është vendosur ende për shkak të përplasjeve të forta politike mes partive të djathta.