E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turistët, me çadra përgjatë rrugës

 

ELBASAN - Dhjetëra turistë nga vende të ndryshme të botës nisin ekspeditën përgjatë rrugës “Egnatia”. Dy ditë më parë rreth 40 turistë kanë ndaluar në qytetin e Peqinit, ku kanë kaluar natën në kalanë e këtij qyteti, të vendosur në çadra. Ndërsa dje vijuan rrugën për t’u vendosur buzë urës Egnatia, në afërsi të qytetit të Librazhdit. Turistët janë nga vende si Amerika, Holanda e Italia. Në këtë udhëtim anëtarët e ekspeditës do të bëjnë kërkime, do të zhvillojnë intervista dhe do të mbledhin materiale për një libër dhe film rreth Via Egnatias. Turistët, pritet që sot të udhëtojnë drejt pikës kufitare të Qafë-Thanës dhe do të kalojnë përmes Maqedonisë për të ndaluar në qytetin e Selanikut, aty ku dhe përfundon Via Egnatia. Policia ka marrë përsipër ruajtjen e turistëve dhe për çdo moment ata janë nën shoqërimin e uniformave blu, derisa të largohen nga territori shqiptar. Via Egnatia si një nga arteriet më të rëndësishme të botës antike që lidhte Perëndimin me Lindjen, ka tërhequr prej kohësh vëmendjen e studiuesve të ndryshëm. Rruga mori emrin e realizuesit të kësaj vepre gjigante të antikitetit, gjykatësit romak në Selanik i quajtur Cnaeus Egnatius, duke u ndërtuar për qëllime ushtarake dhe tregtare gjatë mësymjeve të romakëve në Iliri, Maqedoni dhe Greqi. Është e gjatë 535 milje dhe e gjerë 30 këmbë. Kjo rrugë u ndërtua me gurë dhe shërbente edhe për transport udhëtarësh dhe mallrash. Përgjatë saj kishte sheshe dhe vendpushime të ngjashme me stacionet e sotme. Kjo rrugë zë fill në Durrës për të kaluar në dy degëzime, njëra në Apoloni e tjera që kalon në Peqin e Elbasan.   a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›