PS: Rimbursojmë kartat pas zgjedhjeve
Aristir Lumezi
Socialistët i bënë thirrje dje qytetarëve që nuk kanë pasaporta ta blejnë kartën me vlerën 2 mijë lekë të vjetra. Sekretari për çështjet elektorale në PS, Kastriot Islami, në një prononcim për mediat, menjëherë pas firmosjes së vendimit për kartat nga ana e Kryeministrit Berisha, e cilësoi këtë vlerë si taksën për të larguar Berishën nga pushteti, ndërsa garantoi se qeveria socialiste do ta kompensojë. Islami e cilësoi vendimin e fundit të kryeministrit jo pjesë të negociatave mes PS-së dhe PD-së për kartat e identitetit. "Vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave i përket tërësisht qeverisë Berisha. Ne nuk jemi autorë të tij. Ne mbështesim zbatimin e tij 'in ekstremis', por jo filozofinë e këtij vendimi. Qëndrimi i PS-së mbetet i njëjtë përsa i përket moralit dhe filozofisë së kësaj takse, ndonëse ajo është vetëm 200 lekë. PS-ja është në parim kundër kësaj takse, pavarësisht vlerës së saj. Për ne çdo shtetas duhet të realizojë të drejtën e votës pa u taksuar nga qeveria. E drejta e shprehjes së votës duhet të jetë e lirë", u shpreh Islami. Anëtari i kryesisë socialiste Kastriot Islami, garantoi se qeveria socialiste e dalë nga zgjedhjet do t'ju kompensojë shqiptarëve vlerën e kartës së blerë. "Edhe një herë ju bëj thirrje të gjithëve: blini kartën për 200 lekë, bëni këtë sakrificë, sepse në 29 qershor 2009 qeveria e re me Edi Ramën Kryeministër do t'jua kthejë këtë 200 lekësh. Edhe një herë i bëj thirrje të gjithëve: Shkoni dhe aplikoni, bëjeni sakrificën duke paguar taksën e fundit të qeverisë Berisha dhe rrini të qetë se në 29 qershor qeveria e re do t'jua kthejë", theksoi Kastriot Islami në fjalën e tij.
Sekretari socialist i bëri thirrje të gjithë mekanizmave të përfshirë në këtë proces, Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe njësive të Gjendjes Civile në çdo bashki e komunë, zyrave të postës, zyrave ku paguhet pensioni, zyrave të punës, drejtorive arsimore në rrethe, kryetarëve të bashkive dhe komunave, rektorëve të universiteteve, por dhe kompanisë koncesionare, që të marrin të gjithë masat që ky proces të mos pengohet e vonohet dhe të garantojnë që çdo votues të pajiset me kartë identiteti për të pasur mundësi të votojë në 28 qershor 2009. "Ne do ta monitorojmë këtë proces me shumë seriozitet dhe me transparencë do të bëjmë me dije publikun dhe partnerët ndërkombëtarë për ecurinë e tij dhe pengesat eventuale, duke e mbështetur pa asnjë paragjykim", tha sekretari socialist. Pak ditë më parë, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike pas negociatash që zgjatën disa ditë në nivel ekspertësh, kanë rënë dakord për draftin në formën e vendimit të Këshillit të Ministrave, i cili ligjëron që çdo shtetas pa pasaportë mund të blejë kartën e identitetit me vlerën 2 mijë lekë të vjetra. Propozimi i socialistëve ishte që të gjitha veprimet për kartat e identitetit të zhvilloheshin në një sportel, sipas modelit "One stop shop", propozim që nuk u pranua nga Kryeministri Berisha.