Luajnë me çifte, humb jetën 10-vjeçari
PËRMET/ Një i mitur ka ndërruar jetë teksa është qëlluar me armë aksidentalisht nga shoku i tij 11-vjeçar
Burimet nga policia deklaruan se arma e gjahut mbahej me leje nga babai i viktimës i cili nuk ndodhej aty
PËRMET- Luajnë me armën e gjahut të prindërve, gjen vdekjen 10- vjeçari. Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e djeshme në malin Dhëmbel të rrethit Përmet. Dy fëmijë, përkatësisht 10 dhe 11 vjeç kanë qenë protagonistë të saj, që për shkak të një pakujdesie u kthye në tragjedi duke shkaktuar vdekjen e të miturit.
Mësohet se 11-vjeçari është marrë në pyetje në prani të një psikologu, teksa ka rrëfyer gjithçka që ka ndodhur. Për shkak të moshës ndaj tij nuk mund të ngrihet akuzës, ndërkohë që mësohet se arma e gjahut ishte e marrë me leje nga autoritetet, nga babai i djalit që vdiq.
Ngjarja
Mësohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur paraditen e së martës në një stan në afërsi të kishës së "Shën Todhrit" në malin Dhëmbel të rrethit Përmet. Dy fëmijë, 10- vjeçari me inicialet V.O nga fshati Varibob i komunës Dëshnicë dhe 11-vjeçari me inicialet E.M. nga fshati Rapckë i komunës Piskovë, kanë shkuar në stanin në pronësi të prindërve të tyre, që ishin ortakë.
Sipas informacioneve të marra në vendngjarje nga uniformat blu, prindërit qysh në orët e para të mëngjesit ishin larguar me bagëtitë, ndërsa dy djemtë kanë qëndruar vetëm në stan. Fëmijët janë marrë nga prindërit me qëllim që t'i ndihmonin.
Por, fatkeqësisht, në kohën e mungesës së prindërve, një armë zjarri, tip çifte, në pronësi të të atit të 10- vjeçarit ka qenë lodra e parapëlqyer dhe e përzgjedhur prej tyre. Mësohet se në lojë e sipër, teksa kanë qenë duke bërë sikur do të qëllonin njëri-tjetrin, arma e gjahut është shkrepur dhe për pasojë 10- vjeçari ka humbur jetën për shkak të plagës së rëndë. Pavarësisht mbërritjes së prindërve në vendin e ngjarjes, edhe për shkak të largësisë, shpëtimi i të miturit nuk ka qenë i mundur.
Policia
"Në malin Dhëmbel të rrethit Përmet, në një stan, fëmija i cili quhet V.O, 10 vjeç, ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga arma e gjahut "çifte teke". Nga veprimet e para hetimore rezultoi se fëmija V.O që ka humbur jetën, është qëlluar nga pakujdesia duke luajtur me njëri -tjetrin nga një fëmijë tjetër i cili quhet E.M 11 vjeç nga fshati Rapckë i Komunës Piskovë të rrethit Përmet", thuhet në komunikatën zyrtare të policisë në lidhje me këtë ngjarje.
Më tej, pas kryerjes së të gjitha veprimeve hetimore e proceduriale, 11-vjeçari me inicialet E.M. është marrë në pyetje në prani të psikologut, prokurorit dhe të prindërve dhe më pas është lënë i lirë për arsye të moshës së mitur. "Vrasje nga pakujdesia" është vepra penale për këtë ngjarje, ndërsa në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e gjahut, që ishte në pronësi të babait të viktimës dhe të cilën ai e mbante me leje.