Durrës, çdo ditë "zhduken" 10 fëmijë
SEZONI VEROR/ Në plazhin e mbipopulluar nuk janë të pakta rastet ku fëmijët largohen nga familjarët e më pas ka probleme në gjetjen e tyre. Shumë nuk dinë të orientohen dhe nuk japin të saktë as emrin e vet apo të prindërve
Plazhi i Durrësit me mbipopullimin e tij të sezonit veror ka ndryshuar tërësisht edhe problematikat e ditës. Krahas shumë problemeve është bërë tepër shqetësues edhe fenomeni i largimit të fëmijëve nga kujdesi prindëror, gjë që shkakton shumë shqetësime tek të dyja palët, si tek fëmijët të cilët përjetësojnë trauma nga gjendja psikologjike e rënduar, ashtu edhe prindërit të cilët kalojnë momente ankthi deri në kthimin e fëmijëve.
Policia vihet herë pas here në alarm të vërtetë për të gjetur dhe kthyer këta fëmije në gjirin e familjeve, edhe pse shpesh nga tronditja fëmijët nuk janë në gjendje të tregojnë as identitetin e tyre dhe as të prindërve.
Shumë prej fëmijëve janë të ardhur nga zona të ndryshme të vendit dhe nuk orientohen dot as për të treguar vendqëndrimin e prindërve, pasi nuk kanë njohuri mbi ndarjen administrative të lagjeve dhe strukturave të plazhit të mbipopulluar.
Po kështu, shumë prej fëmijëve janë nga familje të ardhura nga vise të Kosovës dhe Maqedonisë dhe si të tillë kanë përsëri vështirësi të tilla pasi ndodh që të jenë edhe ardhës për herë të parë në këtë plazh. Këtë fenomen e thekson edhe zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë e cila bën me dije se çdo ditë nga prindërit largohen rreth 10 fëmijë.
Fëmijët e humbur
Mbipopullimi i plazhit të Durrësit nga banorë të ardhur nga trevat e shumta të vendit si dhe shqiptarë nga Kosova e Maqedonia, ka sjellë si rezultat fenomenin e humbjes së fëmijëve.
Zëdhënësja e policies, Ornela Cako, thotë se mesatarisht në zonën e Plazhit humbasin rreth 10 fëmijë në ditë për të cilët policia nëpërmjet shërbimeve të saj është e shqetësuar që t'i gjejë dhe t'ua rikthejë prindërve. Sapo jepet alarmi për zhdukjen e një fëmijë në sallën operative, skuadra të policisë me këmbësorët e bregut, furgonët dhe mjetet e tjera të lëvizjes kontrollojnë në të gjitha sektorët e dyshuar.
Vetëm në orët e para të mëngjesit të ditës së martë, me dy fëmijë të gjetur ishin të zënë rreth 6 - 7 policë dhe 2 mjete policie. Gjatë orëve të natës, policia ka gjetur në lagjen "Shkozet" një fëmijë që nuk dinte as adresën dhe as emrin e vet dhe e kishte marrë në ruajtje nga frika e ndonjë trafikimi të mundshëm të strukturave kriminale që mund të përfitonin nga gjendja e tij.
Fëmija duke qenë se paraqitej i pamundur për të dhënë shpjegime mbi origjinën e vet dhe të prindërve është shëtitur nga policia duke bërë edhe kërkime se kush mund ta njihte.
Ai është dërguar në disa pika, si në Shkozet dhe në zonën e Plepave ku kishte të ardhur, por ndërkohë ka rezultuar se ata nuk e njihnin. Fëmija thoshte se herë ishte nga Shijaku, me pas ai ka thënë se ishte nga Ndroqi dhe vetëm në orët e pasdites sikur u hamendësua se mos janë gjetur prindërit.
Por një çift që shkuan në polici dhe po kërkonin fëmijën e tyre të humbur, deklaruan se ai nuk ishte fëmija i tyre. Dhe deri në orët e vona, sipas informacionit të marrë, i mituri vijonte të ishte në ndërtesën e policisë.
Ndërkohë skuadrat lëvizëse në plazh kanë gjetur një fëmijë nga Kosova, 7 vjeç, me emrin Malvor Xhaxhaj.
Fëmija ishte një natyrë e qetë dhe mjaft i bukur, bjond me sy të kaltër. Pas disa orë kërkimesh ku prindërit dhe 2 xhaxhallarët e vet po e kërkonin deri në det, nga frika e ndonjë rreziku në buzë të ujit, nga telefonata e bërë nga një fqinjë shqiptare që qe shqetësuar për fëmijën në sallën operative të Drejtorisë së Policisë, skuadrat e lëvizshme u vunë në lëvizje dhe arritën ta gjejnë atë dhe më pas u kërkuan prindërit. Malvori iu dorëzua familjarëve të vet, xhaxhait Shkëlzen Xhaxhaj nga qyteti i Prizrenit.
Në të gjitha rastet, thanë policët e shërbimit, prindërit e fëmijëve të humbur që janë gjetur nga policia, kanë shprehur falënderimet për punonjësit e policisë që u kanë mundësuar të kapërcejnë ankthin e rëndë të momenteve të tilla.