Burrel, zyrtarët e burgut të pafajshëm për arratisjen
BURREL/ HASAN PASHA
Gjykata e Matit shpalli të pafajshëm gjashtë ish-zyrtarët e burgut të sigurisë së lartë. Ata rezultojnë të paimplikuar në arratisjen e dy të dënuarve përjetë 1 vit më parë. Ky vendim do të thotë rikthim në vendet e tyre të punës dhe dëmshpërblim për muajt që janë mbajtur të pandehur. Më 5 prill 2008, pak orë pas arratisjes së dy të dënuarve me burgim të përjetshëm, Prokuroria e Matit urdhëroi arrestimin e 10 drejtuesve dhe punonjësve të këtij burgu. Katër prej tyre u gjykuan që vitin e kaluar, ndërkohë për ish-drejtorin Eduart Brahilika, ish-shefin e policisë Thanas Rumnici, ish-shefin e trupës Rasim Hoxha, ish-shefin e regjimit të jashtëm Kadri Domi, ish-shefin e regjimit të brendshëm Luan Hysa dhe ish-shefin e informacionit Kujtim Laçi, nisi një kalvar i gjatë hetimi dhe gjykimi. Disa ditë më parë, prokurori i çështjes Sabri Kastrati kërkoi dënimin me 6.5 vjet heqje lirie dhe 2.4 milion lekë gjobë për gjashtë të pandehurit. Si avokatët dhe të akuzuarit për shpërdorim detyre, në bashkëpunim dhe moskallëzim krimi kanë kërkuar pafajësi dhe drejtësi nga Gjykata e Shkallës së Parë Mat. Seanca e fundit e këtij procesi nisi me mbrojtjen e ish-shefit të trupës, Rasim Hoxha, i cili argumentoi se nuk kishte shpërdoruar detyrën dhe nuk kishte bashkëpunuar me askënd për arratisjen e dy të dënuarve. Ai nënvizoi se kontrollet e ushtruara kanë qenë rigoroze dhe bazuar në rregulloren e burgjeve. Pas mbrojtjes së Hoxhës, prokurori Kastrati kërkoi të replikojë me mbrojtjen, paçka se vetëm njëri nga avokatët e gjashtë të akuzuarve ndodhej në sallën e gjyqit. Përfaqësuesi i akuzës u përpoq të bindte kryetarin e seancës Ali Koleci se gjatë ish-zyrtarët e burgut kanë shpërdoruar detyrën në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe nuk kanë kallëzuar krimin. Kastrati përmendi disa nga thëniet e avokatëve në seancën e mëparshme dhe i kundërshtoi ato për mënyrën se si kanë kërkuar pafajësi për klientët e tyre. Pas replikës së prokurorit, Koleci njoftoi se trupi gjykues tërhiqej për të marrë vendimin përfundimtar. Afro gjysmë orë më vonë, në prani të shumë njerëzve gjykata shpalli vendimin. Sipas Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat bie akuza për shpërdorim detyre në bashkëpunim dhe moskallëzim krimi për ish-drejtorin Eduart Brahilika dhe ish-shefin e policisë Thanas Rumnici, duke i shpallur ata të pafajshëm dhe hiqet detyrimi i paraqitjes apo masa e arrestit në shtëpi, ashtu dhe për 4 punonjësit e tjerë. Sipas Gjykatës së Matit, organi i akuzës nuk ka provuar se ata kanë shpërdoruar detyrën në bashkëpunim, por thjesht kanë kryer shkelje administrative. Pak orë pas vendimit, Prokuroria e Matit konfirmoi se nuk ishte dakord me vendimin e dhënë nga gjykata e këtij rrethi dhe se brenda 10 ditëve do të apelohet.