E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrolli kufitar, SHBA ndihmë policisë

 

TIRANE – SHBA i dhuron policisë shqiptare pajisje dhe programe që do të ndihmojnë forcimin e kontrollit të kufijve. Marrëveshja u nënshkrua dje mes Ministrit të Brendshëm Bujar Nishani dhe Ambasadorit të SHBA në Tiranë John L. Withers II. Bëhet fjalë për dhurimin që qeveria amerikane, nëpërmjet programit ICITAP, i adreson Policisë së Shtetit, në formën e ndihmës me disa sistemeve hardware dhe software në funksion të sistemit TIMS dhe programit MEMEX. Kreu i Ministrisë së Brendshme Nishani, e ka quajtur këtë dhuratë një ndihmë të çmuar për realizimin e funksioneve dhe detyrave të përditshme të Policisë së Shtetit. “Sot, falë kësaj asistence dhe funksionimit në themel të sistemit TIMS, realizohen një sërë shërbimesh të informatizuara: si sistemi i kërkimit, sistemi i arkivës kriminale, sistemi i informacionit të kontrollit kufitar, raportimi i ngjarjeve, apo dhe ai i programit MEMEX, përmes të cilit administrohen të dhënat kriminale në funksion të analizave të veprimtarive kriminale”, tha ministri Nishani. Sipas tij, “pa këtë përparim të teknologjisë, lufta kundër krimit të organizuar, kontrolli dhe menaxhimi i integruar i kufijve si prioritete të angazhimit të qeverisë shqiptare, nuk do të kishin mundur të arrinin në standardet që kemi sot”. Ministri konfirmoi se ndihma e dhënë deri tani për policinë shqiptare nga qeveria e SHBA dhe populli amerikan, ka qenë një ndihmë tërësisht efiçente, që i ka shërbyer maksimalisht konsolidimit të institucioneve të shtetit shqiptar, i ka shërbyer rritjes së sigurisë dhe shërbimit të qytetarëve shqiptarë, por edhe sigurisë së tërë rajonit tonë. Ambasadori i SHBA John L. Withers II tha pas nënshkrimit të marrëveshjes se “sistemi TIMS ka avancuar në mënyrë të jashtëzakonshme, duke nënvizuar se tashmë jemi në fazën kur ky sistem pritet të përfundojë shtrirjen e tij në të gjithë Shqipërinë”. Diplomati i SHBA në Tiranë, tha më tej se me donacionin e djeshëm me vlerë një milion dollarë, donacionet e përgjithshme për policinë shkojnë në vlerën e 14 milionë dollarëve. Withers e cilësoi donacionin e djeshëm si një gur të rëndësishëm kilometrik në rrugën e kalimit të sistemit TIMS në duart e Policisë së Shtetit. Në ceremoninë e djeshme mori pjesë edhe Drejtori i Programit ICITAP Darrel Hart, si dhe kreu i policisë shqiptare Ahmet Prençi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›