E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burrelit i shtohen edhe 200 familje të varfra

Gjatë vitit të kaluar, në Bashkinë e Burrelit, nga 1200 familje që bënë kërkesë për t‘u përfshirë në listat e ndihmës ekonomike, e përfituan atë vetëm 470 familje. Në projektvendimet e zyrës së ndihmës ekonomike, dërguar këshillit bashkiak, gjatë muajve janë hequr dhe shtuar familje, sipas ndryshimeve të kushteve ekonomike të tyre. Mbyllja e vendeve të punës, siç ndodhi me Uzinën e Ferrokromit në Burrel, ku mbetën të papunë 120 metalurgë, si dhe falimentimi i mjaft bizneseve, sidomos në muajt e fundit të 2008-ës, ka rritur ndjeshëm fluksin e familjeve që kanë bërë kërkesa për t‘u përfshirë në skemën e ndihmës ekonomike. Në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak në Burrel, u evidentua se si pasojë e kërkesave në rritje, gjatë vitit të kaluar ishin shtuar në skemë edhe 200 familje ose rreth 45% më shumë se numri i mëparshëm, duke e çuar numrin e përgjithshëm të përfituesve në 670. Tendenca në rritje e këtyre kërkesave ka vazhduar edhe këtë vit, ku vetëm në janar janë shtuar në skemën e ndihmës ekonomike edhe 46 familje. Argumentet që jep zyra e ndihmës ekonomike për shtimin e numrit në lista janë të tilla si: "vjen nga asistenca", "del i papunë", "vjen nga emigracioni", "përmbush kriteret", "invalid" etj. Specialistë të ndihmës ekonomike sqarojnë se fondi i dhënë nga buxheti i shtetit, për ndihmën ekonomike, ka pasur një rritje sidomos për kategorinë e invalidëve, por kërkesat nga ana tjetër janë shtuar shumë. Kjo rritje e përfituesve shkon përkundër urdhrit të Ministrisë së Punës, për nisjen e një kontrolli të imtësishëm në të gjitha bashkitë dhe komunat e vendit, për pastrimin e skemës nga familje që s‘e meritojnë marrjen e asistencës dhe përfshirjen në të të atyre që e meritojnë, më të varfërve. Mësohet se zyra e ndihmës ekonomike ka filluar studimin për pastrimin e skemës. Bëhet me dije se 260 familje nga 670 gjithsej meritojnë trajtimin me vlerën maksimale të kësaj ndihme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›