Shpëtojnë bebet, tani bëjnë 1 gjilpërë për 5 vaksina
Fëmijët e vegjël, të cilëve më parë u duhej të kryenin 5 vaksina muaj pas muaji, tani do të bëjnë vetëm një gjilpërë, e cila do të ketë të gjitha dozat e mbledhura bashkë. Ashtu siç ishte premtuar dhe nga Instituti i Shëndetit Publik, muaji mars shënoi edhe inaugurimin e pentavaksinës, e cila përmban pesë doza imunizuese në një të vetme. Përfaqësues të Institutit të Shëndetit Publik, Ministrisë së Shëndetësisë, Autoritetit Shëndetësor Rajonal kanë qenë të pranishëm gjatë vaksinimit të fëmijëve të parë me këtë mbështjellë polivalente. Dje, në Poliklinikën Nr. 2 në kryeqytet, janë vaksinuar fëmijët e parë me imunizuesin pentavalent. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, shprehu kënaqësinë për hyrjen e kësaj vaksine në vendin tonë, kaq të domosdoshme dhe të efektshme për shëndetin e foshnjave. Vaksina pentavalente, "5 në 1", parandalon 5 sëmundje: difterinë, tetanozin, kollën e mirë (pertusin), hepatitin B (verdhëzën) dhe infeksionet e shkaktuara nga haemophilus influenzae tip b (Hib) në veçanti meningjitin e shkaktuar prej tij. Kjo vaksinë kryhet në moshën 2, 4 dhe 6 muaj. Pra, të gjithë fëmijët që kanë lindur nga 1 janari 2009 do t‘u ofrohet imunizimi me vaksinën e kombinuar "5 në 1" (DTP-HepB-Hib). Kjo vaksinë futet në vendin tonë pas një procesi të gjatë të aplikimit pranë GAVI-t (Aleancës Botërore për Vaksinat), që nga viti 2001, kohë kjo kur Shqipëria mund të aplikonte pranë këtij organizmi. Qeveria shqiptare paguan vetëm për komponentin e hepatitit B në këtë vaksinë. Në momentin që përfundon marrëveshja me GAVI-n, pas pesë vitesh, qeveria do të marrë përsipër, ashtu si dhe për të gjitha vaksinat e tjera, financimin e plotë të kësaj vaksine. Kjo vaksinë, ashtu si të gjitha vaksinat e kalendarit kombëtar të vaksinimit, ofrohet falas nga shteti. Vaksina pentavalente DTP-HepB-Hib është në formë të lëngshme, që përmban vetëm 1 dozë, që do të thotë një flakon për një fëmije.