E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Rrëzohen" Teodor Laço, Nasho Jorgaqi e Vilson Kilica

Emrat e propozuar për në këshillin artistik të qytetit kanë bërë që të dështojë mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak të Fierit. Ishte vendosur që këshilli të mblidhej në orën 10:00 të paradites së martë. Nikolla Thomai, sekretari i këshillit, si dhe kryetari i tij, Vasillaq Ngresi, kanë bërë që ditë më parë njoftimin e 36 këshilltarëve për mbledhje, si dhe u kanë komunikuar atyre disa nga pikat e rendit që do të diskutoheshin dhe do të ktheheshin në vendime. Por, miratimi i këshillit artistik të qytetit duket se ka ngjallur reaksion te këshilltarët e djathtë, si dhe ata të LSI-së. Këta të fundit kanë braktisur sallën duke lënë në të vetëm këshilltarët e Partisë Socialiste. Këshilltarët e PD dhe LSI kanë kundërshtuar listën e anëtarëve të këshillit artistik, pasi, sipas tyre, një pjesë e emrave të paraqitur në të nuk ishin figura përfaqësuese të kulturës fierake. "Nuk ka asnjë emër nga qyteti i Fierit dhe kjo përbën një skandal për këtë qytet që ka qenë dhe është i mbushur me aktivitete të shumta artistike. Nëse nuk rishikohet lista, atëherë asnjë nga këshilltarët e LSI-së nuk do të marrë pjesë në mbledhje", thotë Agron Bega, këshilltar i LSI-së. Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe këshilltarët e djathtë. Luan Muçaj, një prej anëtarëve të PD-së në këtë këshill, ka thënë se nuk është diskutuar asnjëherë më parë formacioni i këshillit artistik dhe aq më keq që emrat e vendosur në të nuk janë pjesë e qytetit të Fierit. Me gjithë thirrjen e këshilltarëve të PS-së, sërish këshilli nuk është mbledhur. Mësohet se ndër emrat e propozuar për në këshillin artistik ka qenë Teodor Laço e Vilson Kilica, si dhe Nasho Jorgaqi. Kryetari i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj, deklaroi se pavarësisht kontestimit, propozimi i emrave për në këshillin artistik është bërë nga grupe të ndryshme intelektualësh dhe artistësh. "Do dëshiroja që me këta emra të rrëzuar nga këshilltarët e djathtë dhe të LSI-së, Fieri të zgjeronte përfshirjen e tij në qarqet artistike. Fieri ka nevojë për emra të tillë", thotë Zeqaj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›