E Diel, 1 Nëntor 2026

Burri denoncon zhdukjen e farmacistes. Gruaja, policisë: Kam ikur me pushime

TIRANE - Zhduket farmacistja nga Kombinati, policia fillon kërkimin për gjetjen e saj pas denoncimit të bërë nga bashkëshorti. 

Alketa Ndreu, rreth 38 vjeçe, banuese në qendër të Kombinatit, është denoncuar të hënën në mëngjes si e zhdukur nga banesa. Lajmërimi në polici është bërë nga bashkëshorti i saj, Ramazan Ndreu. Menjëherë pas lajmërimit të marrë nga i shoqi i të zhdukurës në komisariatin e Kombinatit, blutë kanë nisur kërkimet për të zbuluar vendndodhjen e saj dhe shkakun e zhdukjes nga shtëpia. Largimi i papritur i farmacistes mësohet se ka ndodhur të dielën në mesditë, kur bashkëshorti i saj, Ramazan Ndreu është munduar të kontaktojë me të, por nuk ka arritur të lidhet me të shoqen. Gruaja, sipas burimeve të policisë, ka mbyllur farmacinë e saj ku punonte dhe është larguar në mënyrë të papritur pa njoftuar asnjë person. Kjo ka shkaktuar panik në familjen e saj, ndërsa bashkëshorti ka nisur ta kërkojë tek të afërmit. Pas verifikimeve tek të afërm të ndryshëm, ku gruaja nuk është gjetur, i shoqi i saj Ndreu është detyruar të drejtohet në Komisariatin e Policisë nr.6, ku ka sqaruar gjithçka kishte ndodhur. Policia i ka marrë një kallëzim bashkëshortit të Alketa Ndreut, ku ai ka sqaruar rrethanat për të cilat kishte dijeni. Pas marrjes së kallëzimit, policia ka nisur veprimet e saj, duke kryer kërkime tek njerëz të ndryshëm, ku dyshohej se mund të ishte farmacistja. Ndërkaq ajo është kontaktuar më pas në telefon nga policia, për të sqaruar rrethanat e zhdukjes së saj. Vetë gruaja ka pranuar të komunikojë me policinë, ndërsa iu ka sqaruar atyre se ishte larguar me dëshirën e saj. Ajo ka shtuar më tej se aktualisht ndodhej me pushime. "Gruaja ka thënë se aktualisht nuk kishte ndërmend të kthehej, por sapo të mbarojë pushimet do të paraqitet me dëshirën e saj në polici", thanë burimet.                          d.b.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›