E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qerimaj, e mbyll me nder. Kodra zhgënjen

Një mbyllje e shkëlqyer dhe përfaqësim dinjitoz i Olimpiadës nga peshëngritësi shqiptar Erkand Qerimaj. 

 I treti nga armata e shtangës kuqezi në “Pekin 2008” u rendit i pari në peshën 77 kg në baterinë B. Shkodrani arriti të kalojë me sukses 5 nga 6 provat e mundshme. Në përfundim të garës në peshën 77 kg në stilin e shkëputjes, Qerimaj, është renditur i dyti, pasi ngriti peshën 154 kg pas 2 provave të para po të suksesshme përkatësisht 145 kg dhe 150 kg. Ndërsa në stilin e shtytjes Erkand Qerimaj do të siguronte vendin e parë me 187 kg. Zyrtarisht 20-vjeçari do ta mbyllte aventurën olimpike me 341 kg. Por atij i duhej të priste edhe garimin në baterinë A për të mësuar më tej renditjen zyrtare në Olimpiadën e Pekinit. Në përfundim, shqiptari u rendit i 13-ti në klasifikimin e përgjithshëm. Qitësja shqiptare Lindita Kodra ka zhgënjyer edhe në garën e saj të preferuar 25 m pistoletë sportive. Kampionia e Evropës u rendit në vendin e 35-të me 570 pikë gjithsej nga 41 pjesëmarrëse. Në preçizion Kodra grumbulloi 283 pikë pas 3 serive gjuajtjesh, ku fiksoi 92 pikë, ndërsa në dy të tjerat 94 e 97 pikë. Në serinë e gjuajtjeve me shpejtësi qitësja grumbulloi 287 pikë, përkatësisht 98, 97 dhe 92 pikë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›