E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Koha e kometës”, konkurron për “Gladiatorin e Artë”

Ka kohë që premiera e filmit të regjisorit Fatmir Koçi, “Koha e kometës” pritet të shfaqet. 

Muaj më parë u përfol për një premierë të mundshme në “Millenium 2”, por me sa duket përfundimisht është vendosur që për herë të parë, filmi të shfaqet në Festivalin e Parë Ndërkombëtar të Filmit Artistik në Durrës, dhe pse jo për të fituar një “Gladiator të artë”. Pjesëmarrja e filmit të bazuar mbi veprën e njohur të shkrimtarit Ismail Kadare, “Prilli i thyer” në këtë festival veror të parë në Shqipëri konfirmohet edhe në websitin zyrtar të festivalit. Gara e filmave më të mirë ndërkombëtarë, të realizuar pas vitit 2005 do të nisë nga data 23 deri më 31 gusht. Janë menduar të jepen edhe çmime, por ndryshe nga trofetë, kësaj here organizatorët kanë menduar të japin “Gladiatorin e Artë”, për të cilin do të konkurrojnë edhe “Trishtimi i zj. Shnajder”, filmi i realizuar nga regjisori Pirro Milkani, “Sekretet” e Spartak Pecanit dhe “Mao Ce Duni” i Besnik Bishës. Filmi shqiptar do të ketë një seksion të veçantë në këtë festival. Ndërkohë, nga pjesëmarrësit e huaj do të jenë 11. Ky aktivitet është i pari festival veror ndërkombëtar për filmin artistik në Shqipëri, që organizohet nga Bashkia e Durrësit në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë. Dhe të gjithë do të shfaqen në amfiteatrin antik, ndërsa projeksioni kryesor i filmave për jurinë dhe të ftuarit specialë do të bëhet në qendrën kulturore “Aleksandër Moisiu”. Janë filma artistikë me metrazh të gjatë në 35 mm dhe mbi 70 minuta. Të gjithë pjesëmarrësit janë përzgjedhur nga juria midis 51 filmave aplikues nga 23 shtete, si përfaqësues të kinematografisë çeke, gjermane, estoneze, kroate, maqedonase apo irakiane. Ndërsa kriteret për përzgjedhjen e këtyre filmave, veç gjatësisë së tyre ka qenë viti i prodhimit. Kështu, në festival do të konkurrojnë për çmimin “Gladiatori i Artë”, për filmin më të mirë artistik vetëm filmat e prodhuar pas vitit 2005. Gjatë ditëve të festivalit veror, përveç çmimit të madh, juria do të japë edhe një çmim për filmin më të mirë shqiptar, një çmim për aktorin më të mirë dhe aktoren më të mirë si dhe çmimin e jurisë. Në konkurrimin zyrtar të festivalit do të ketë dy seksione: ai ndërkombëtar dhe ai shqiptar. Ndërkaq filmat që janë në garë në seksionin e parë do të konkurrojnë për çmimin e madh “Gladiatori i Artë” dhe çmimet e tjera, ndërsa filmat shqiptarë do të jenë në garë për çmimin “Filmi më i mirë kombëtar”. Jashtë konkurrimit zyrtar janë planifikuar edhe tri seksione të tjera: seksioni i filmit shqiptar, i dokumentarit dhe ai i filmit vizatimor si dhe shfaqja e filmave shqiptarë ndër vite.        a.m

Filmat shqiptarë

“Trishtimi i zonjës Shnajder” i regjisorit Pirro Milkani
“Mao ce Dun” i regjisorit Besnik Bisha
“Sekretet” e Spartak Pecanit
“Koha e kometës” nga regjisori Fatmir Koçi

Plaçido sërish në Shqipëri
Mikele Plaçido do të rikthehet në Shqipëri! Pas vizitës së tij, pak kohë më parë, për premierën e filmit “Trishtimi i zonjës Shnajder”, Plaçido do jetë i ftuar special në Festivalin Ndërkombëtar Veror të Filmit Artistik në Durrës. Por nuk do të mungojnë të ftuar të tjerë nderi si producenti Jan Harlan, i filmave të njohur të Stanley Kubrick si “Barry Lyndon”, “The Shining”, “Full Metal Jacket”, “Eyes Wide Shut” etj. Veç tyre, regjisori, skenaristi e aktori çek Jiri Menzel. Pikërisht këta të ftuar së bashku me Dimitris Kernikos, analist ballkanas i “Thessaloniki Film Festival” dhe Elena Giufrida, zv/president e Festivalit të Filmit të Triestes, janë dhe anëtarët e jurisë të këtij festivali filmi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›