Vajza e Timo Fllokos, dasmë ëndrrash në Jeruzalem
Dasma e vajzës së vetme të aktorit të njohur, Timo Flloko, dhe regjisores, Vera Grabocka, ka qenë me të vërtetë një dasmë ëndrrash. Dasma nuk është bërë, as në ndonjë prej hoteleve më luksoze të kryeqytetit tonë, por as në ndonjë prej hoteleve të Los Anxhelesit.
Askush, deri më sot, nuk kishte arritur të organizonte një dasmë në Kullën e Davidit, pikërisht në Jeruzalem. Sipas hollësive dhe fotove që ka nxjerrë dje në treg revista e re “G”, deri më sot, kishin mundur që këtë rit të shenjtë ta organizonin jashtë kullës, por brenda nuk kishte ndodhur kurrë.
Është pikërisht ky vendi ku, Linda Flloko dhe Ilan Gorodezky, kanë kurorëzuar me martesë dashurinë e tyre.
Të gjithë të pranishmit tregojnë se kjo do të mbetet një nga dasmat më të bukura që kanë patur mundësinë të asistojnë.
Gjithë shqiptarët, mes tyre shumë të njohur të ekraneve shqiptare si: Pali dhe Zerina Kuke, Adi Krasta dhe bashkëshortja e tij, Valbona Selimllari, Kujtim Çashku, Inva Mula, Nora Çashku, Frederik Ndoci, Alketa Vejsiu dhe shumë administratorë e pronarë të kompanive më të mëdha të vendit, kanë pasur mundësinë të shijojnë një dasmë shqiptaro-hebreje, duke qenë se dhëndrri ishte hebre. Gjithsej kanë qenë 100 të ftuar nga Shqipëria.
Dasma është bërë ditën e enjte në orën 16. 00. Orari ishte përcaktuar sipas rregullave hebreje: çifti duhet, të paktën, të celebrohet para fillimit të ditës tjetër, që ndodh me perëndimin e diellit.
Kippah (kapele që vënë hebrejt) në kokë ishin shpërndarë falas në respekt të riteve fetare hebreje. Ceremonia është realizuar në gjuhën hebreje nga rabinë të ardhur nga Los Anxheles. Pas mbarimit të riteve, çifti ka pirë pak nga vera e bekuar dhe më pas ka kërcyer i ulur në karrigen që është mbajtur lart nga miqtë: një rit hebre, për t’i bërë të sapomartuarit të ndiheshin si mbret dhe mbretëreshë. .
Muzika që ka shoqëruar dasmën ka qenë e kënduar live nga sopranoja e mirënjohur Inva Mula dhe Frederik Ndoci dhe është sjellë nga një DJ i mirinformuar për shijet e shqiptarëve. Mbrëmja ka mbaruar rreth orës 1 të mëngjesit dhe çifti është nisur drejt ishujve grekë, ku ka kaluar muajin e mjaltit.