Burri plagos gruan me thikë, ndalohet
Një 54-vjeçar ka përfunduar në polici, pasi dyshohet për plagosje me thikë të së shoqes. Ngjarja ka ndodhur dy net më parë, në lagjen e Kombinatit në Tiranë. Burimet policore shpjeguan se pikërisht rreth orës 01:00 të mëngjesit është njoftuar që në rrugën "Hamdi Cenoimeri", në banesën e Lulzim Matës, 54 vjeç, ka ndodhur një plagosje. Me t‘u njoftuar, në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit Nr. 6, të cilët kanë bërë shoqërimin e 54-vjeçarit Mata, ndërkohë që i është dhënë ndihma e parë të dëmtuarës, Suzana Mata. Ajo është dërguar në spital dhe pasi ka marrë mjekimin, ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe vazhdon kurimin në banesë. Sipas të dhënave policore, ngjarja ka ardhur pas një konflikti në familje dhe i dyshuari e ka pranuar akuzën. Megjithatë, deri në orët e vona të mbrëmjes, ende nuk ishte vendosur nëse ai do të ndiqej penalisht në gjendje të lirë, apo do të arrestohej për veprën penale të plagosjes së lehtë me thikë.