Dhuna në familje, merren në mbrojtje 3 fëmijë të mitur
Dhuna në familje, e kthyer tashmë në një fenomen "normal" në Shqipëri, nuk po kursen as fëmijët. Vetëm dje policia e Tiranës dhe ajo e Kavajës kanë marrë dy denoncime, sipas të cilave është ushtruar dhunë nga prindërit mbi 3 fëmijë të mitur. Kështu, sipas njoftimeve zyrtare, 45-vjeçari Ymer Kanoja, banues në qytetin e Kavajës, ka denoncuar ish-bashkëshorten Ermira Hyka, për arsyen se ajo keqtrajton sistematikisht vajzën e tyre 7-vjeçare, të cilën e ka nën kujdestari që pas divorcit. E denoncuara 36-vjeçare, sipas policisë, do të ndiqet në gjendje të lirë për veprat penale të "keqtrajtimit të të miturve" dhe "plagosje të lehtë me dashje". Pasi është vërtetuar dhuna fizike dhe psikologjike ndaj të miturës, për të është lëshuar urdhri i mbrojtjes, ndërkohë që në ditët në vazhdim gjykata do të vendosë për kujdestarinë e saj, si dhe masën e dënimit ndaj nënës dhunuese. Ndërkohë, në Tiranë një 33-vjeçare nga Kamza ka denoncuar po dje në Komisariatin Nr. 5 bashkëshortin e saj, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj asaj vetë dhe dy fëmijëve të tyre të mitur. Burime zyrtare të policisë thanë se E. Ciko ka kërkuar ndihmë nga uniformat blu, pasi ajo, së bashku me dy fëmijët e vegjël, dhunohej sistematikisht nga burri i saj, Arben Ciko, 38-vjeç. Për nënën 33-vjeçare dhe 2 fëmijët e saj, nga policia është lëshuar menjëherë urdhri i mbrojtjes, ndërkohë që materialet i kanë kaluar prokurorisë.
Re. Kr.
Re. Kr.