Prokuroria merr për dëshmitar një të pandehur
Gjykata e Krimeve të Rënda ka refuzuar prokurorinë për të thirrur si dëshmitar në gjyqin e grupit të dytë të Bandës së Lushnjës, Gramoz Selmanin, dikur një i pandehur i krimeve në qytetin e Lushnjës. Selmani aktualisht ndodhet në Greqi dhe ka dhënë shpjegime para oficerëve të policisë gjyqësore të Fierit në ambasadën shqiptare në Athinë, ku ka treguar se Banda e Lushnjës e ndiqte dhe kishte tentuar ta vriste. Ai ka treguar ngjarjen e datës 13 shkurt 1998. Në vendin e quajtur Kolonjë të Rrethit të Lushnjës është vrarë Nimet Zeneli nga disa persona të armatosur, ndërmjet tyre edhe Arben Boriçi, Ilir Stergu, Enver Dondollaku dhe Aldo Bare, të cilët i kanë zënë pritë fuoristradës "Toyota", me targa FR 8079 A. Personat e armatosur, pasi kanë parë furgonin të afrohej, kanë qëlluar me armë automatik në drejtim të tij. Në fuoristradë udhëtonte pikërisht dëshmitari Gramoz Selmani, shoku i ngushtë i Tur Dajës, si dhe Masar Aliu e Nimet Zeneli, shokë të Selmanit. Ky i fundit, pas goditjes nga grupi i Aldo Bares, me qëllim për t‘iu shmangur vrasjes e grupit, fshihej te shtetasit e sipërpërmendur. Menjëherë shoferi i furgonit, Masar Aliu, ka nxjerrë nga rruga makinën dhe të tre personat kanë dalë nga furgoni dhe janë larguar me vrap. Arben Boriçi dhe Ilir Stergu kanë ndjekur Nimet Zenelin dhe Masar Aliun, duke qëlluar me armë në drejtim të tyre. Gjatë ndjekjes, Nimet Zeneli është plagosur dhe nuk ka mundur të largohej. Ilir Stergu, së bashku me Arben Boriçin, i janë afruar të plagosurit dhe kanë qëlluar në drejtim të tij me armë zjarri, duke i shkaktuar vdekjen. Ndërsa Gramoz Selmani dhe Masar Aliu kanë mundur t‘i shpëtonin ekzekutimit. Gjatë seancës së djeshme nuk munguan debatet mes avokatëve, prokurorëve dhe trupit gjykues. Si objekt i debatit ka qenë dëshmitari Gramoz Selmani. Emri i këtij dëshmitari është tepër i njohur për palën mbrojtëse. Kanë qenë avokatët, Vladimir Meçe dhe Ardian Leka, ata që kërkuan shpjegime nga Prokuroria e Përgjithshme për të parë pozicionin e vërtetë të këtij dëshmitari, si dhe statusin aktual të tij. Avokatët ishin të bindur se organi i akuzës është duke bërë një lojë lidhur me dëshmitarët mbrojtës. Kështu, avokati Meçe i tha gjykatës se dëshmitari që pretendon akuza, Gramoz Selmani ka qenë i pandehur për disa vepra penale në këtë grup në vitin 1997. Prokuroria shpjegoi se Gramoz Selmani nuk është më në cilësinë e të pandehurit, por ai është dëshmitar në këtë çështje. Sipas akuzës, Selmani në vitin 1997 është marrë i pandehuri, duke u dyshuar se ishte autor i vrasjes së shtetasit Genci Kashari. Por pas hetimeve të njëpasnjëshme, ky i pandehur edhe pse u mor në hetim, doli i pafajshëm. Prokurori tha se ndaj shtetasit Gramoz Selmani janë pushuar hetimet në vitin 1997. Avokati deklaroi para gjykatës se akuza e di shumë mirë që Gramoz Selmani është person me precedent penal dhe tashmë e paraqet atë si dëshmitarin kyç. Pas akuzave të ndërsjella, trupi gjykues refuzoi të marrë dëshminë e Gramoz Selmanit, duke i refuzuar prokurorisë ndoshta njeriun kyç që mund të linte për një kohë të gjatë pas hekurave as më shumë e as më pak, por vetë Aldo Baren.
S.Ç
S.Ç