E Diel, 1 Nëntor 2026

Burri qëllon gruan me thikën e bukës në prani të fëmijeve

Ngjarja në Kombinat, në prani të dy fëmijëve të çiftit, policia arreston autorin. Shkak mësohet të jetë bërë një nga grindjet e shumta që ka çifti, kurse autori dyshohet se ka qenë nën efektit e alkoolit . 

TIRANE-Burri qëllon gruan me thikë në mesnatë, ndërsa në polici shënohen 4 raste të tjera të dhunës në familje. Gazeta Shqiptare ben te ditur se ngjarja e rëndë ka ndodhur mesnatën e së premtes duke u gdhirë dita e djeshme. Suzana Mata, 40 vjeçe është qëlluar me thikë pranë barkut nga i shoqi 14 vjeç më i madh, Lulzim Mata. Sipas policisë, ka qenë vetë Suzana që ka kërkuar ndihmë, ndërsa kur kanë mbërritur shërbimet e Komisariatit numër 6 të Policisë në banesën e çiftit në rrugën “Hamdi Cenoimeri” të lagjes së Kombinatit, kanë konstatuar ngjarjen e rëndë. Shkak mësohet të jetë bërë një nga grindjet e shumta që ka çifti, kurse autori dyshohet se ka qenë nën efektit e alkoolit. Çifti mësohet se ka dy fëmijë, të cilët kanë qenë në banesë kur ndodhi grindja. I shoqi, Lulzimi, duket se ka qenë trim vetëm në momentin kur e ka qëlluar të shoqen, ndërsa ia kishte “mbathur” kur ka mësuar për mbërritjen e policisë. Suzana është dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin Ushtarak, ku pas mjekimit të parë mjekët nuk e kanë parë të domosdoshme për ta kuruar në spital. Pasi i janë dhënë rekomandimet e nevojshme për trajtimin në banesë, Suzana është lejuar të kthehej në shtëpi. Ndërkaq, shërbimet e Komisariatit numër 6 të Policisë së Tiranës, gjatë patrullimeve dhe kontrolleve për kapjen e Lulzimit, kanë mundur ta gjejnë dhe shoqërojnë atë. Ngjarja ishte thuajse e kopsitur kur Lulzim Mata i është “dorëzuar” oficerëve të seksionit të krimeve kundër jetës dhe shëndetit nga kolegët e komisariatit, të cilët i kanë ekzekutuar arrestin në flagrancë për plagosje të lehtë.
Rasti i çiftit Mata nuk ishte e vetmja ngjarje e dhunës në familje në Tiranë. Shqiponja P., 22 vjeçe ka përfituar kërkesë-padinë për urdhrin e mbrojtjes nga Pavlin Ll, 28 vjeç, i cili është personi me të cilin ajo ka bashkëjetuar. Po kështu, Vjollca S., 27 vjeçe ka përfituar të njëjtën mbrojtje nga i shoqi, Prel S., 38 vjeç, pasi ky i fundit e kishte rrahur në banesën e babait të saj në Valias, Nikollë P.. Urdhrin e mbrojtjes e ka kërkuar edhe Etjena C., 33 vjeçe bashkë me fëmijët 13 e 11 vjeç, pasi dhunoheshin nga i shoqi, Arben C.. Ndërkohë që në Kavajë, Ymer K., denoncon ish-bashkëshorten Ermira H., 26 vjeçe, se dhunonte psikologjikisht dhe fizikisht vajzën e tyre, Selmën. Kjo e fundit ka nisur procedurat për urdhrin e mbrojtjes.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›