E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ohri dhe Shën Naumi, në fotografi

Nga Ohri dhe Shën Naumi, liqeni dhe perëndimi i diellit, varkat me peshkatarë dhe ato që i ka përmbysur vjeshta, pallonj shumëngjyrësh, natyra apo kishat kanë zbritur në Korçë. Nuk është këtë herë pena e Lasgushit që sjell të gjalla pjesë nga jeta e liqenit pa kufi apo natyra e virgjër që frymëzon. Kufijtë janë shkrirë nga përtej liqenit që ndan botën shqiptare dhe atë maqedonase. Nga pena e një poeti, natyra është derdhur jo më në letër, por në pelikula, ndërsa nga fokusi i një aparati shkrepjet kanë mbërthyer dhe kanë ngrirë copëzat e natyrës së përtej kufirit. Një fotograf maqedonas është kujdesur të sjellë në juglindje të vendit tonë atë që jo shumëkush ka mundësinë ta prekë të gjallë edhe pse qyteti i tij nuk është shumë larg nga Korça. Nikola Pavlevski siglon nën një titull ekspozitën e tij fotografike. "Maqedonia ime" është një rikthim në kohë i asaj që deri më tani juglindorët e kanë parë nga pena e shkrimtarëve. Në galerinë e arteve ka zbritur Maqedonia e fotografit. Aty janë Ohri dhe Shën Naumi, një liqen me dëborë dhe peshkatarë me rrjeta, disa perëndime dielli, personazhe jetësorë dhe peizazhe të rralla. Pavlevski ka menduar ta sjellë Maqedoninë e tij në një qytet që nuk laget nga liqeni. Por ai e di se këtu është përqendruar kultura, dhe ndërsa ka hedhur idenë e tij të parë për të sjellë fotografi nga zona ku jeton e punon, i janë hapur edhe dyert për një ekspozitë. Autori fotograf i ekspozitës së veçantë ka sjellë plot 100 copëza nga shkrepjet e aparatit në natyrë. Peizazhet që kanë qenë dominuese në aktivitetin e tij kulturor kanë tërhequr vëmendjen e korçarëve që i janë drejtuar galerisë së arteve "Guri Madhi", të nxitur nga kureshtja për të parë botën maqedonase të përtej liqenit. Kishat e Shën Naumit, natyra e peizazhet janë futur brenda kornizave për të udhëtuar drejt Korçës. Nikola Pavlevski tregon se Maqedonia e tij ka ardhur këtu si një stimul i bashkëpunimit kulturor, kur në akord dhe me mbështetjen e bashkisë ka mundur të konkretizojë atë që ai e ka quajtur një ëndërr. Fotografi shpjegon se ka dashur shumë që nga fokusi i aparatit të tij, punimet të dalin përtej kufijve, ndërsa thotë se ka zgjedhur Korçën, për të cilën ka dëgjuar shumë se është një djep i kulturës. Dëshira e tij është bërë realitet kur dyert e galerisë janë hapur për të vendosur në mure fotografitë e shumta në numër. Në sallat e galerisë janë varur plot 100 fotografi që ai i ka nxjerrë nga studioja në Ohër. "Kam dëshiruar gjithnjë që fotografitë plot ngjyra dhe të gjalla me botën maqedonase brenda tyre të dalin nga Ohri. Maqedonia ime nuk mund të rrinte vetëm brenda studiove dhe ekspozitave personale në qytetin tim të lindjes. Mendova se do të ishte shumë mirë ta kaloja liqenin e të sillja natyrën e peizazhet në këtë qytet. Kisha dëgjuar shumë për Korçën, si një vend që e vlerëson kulturën dhe nisur dhe nga lidhjet e hershme kulturore të kësaj zone me manastirin, vendosa të kontaktoj për një bashkëpunim.

Jam shumë i impresionuar nga mikpritja dhe fakti se ekspozita është mbështetur dhe është konkretizuar më në fund në këtë galeri, falë edhe aprovimit të bashkisë", ka thënë fotografi maqedonas. Përgjigjja për të sjellë një ekspozitë personale ka qenë e shpejtë dhe Pavlevski ndihet i kënaqur që ka vendosur një bashkëpunim kulturor, të cilin në fakt e quan një bashkëpunim mes dy vendeve fqinje. Jeta në zonën e Ohrit dhe natyra, por edhe puna në bujqësi dhe artizanati, peshkimi dhe hedhja e rrjetave, por edhe liqeni i grirë nga dëbora, vjeshta me ngjyra dhe gjethe, sipas autorit nuk mund të rrinin vetëm në qytetin e tij. Për herë të parë një ekspozitë e tillë është sjellë për korçarët, të cilët nuk e kanë të vetëm fotografin maqedonas. Galeria dhe fotografitë e ekspozuara nga autori në ekspozitën e tij të parë në Korçë, kanë marrë vlerësime nga artdashësit korçarë.

Për dy ditë me radhë dhjetëra vizitorë, intelektualë dhe njerëz të artit dhe kulturës në qytet kanë parë nga afër natyrën, artizanatin dhe copëza nga jeta maqedonase përtej liqenit. Vetë autori ndihet optimist kur thotë se mirëpritja e ekspozitës së tij do të jetë një ogur i mirë për të vendosur edhe bashkëpunimin e mëtejshëm kulturor mes dy qyteteve. Maqedonia ime është vetëm pikënisja e një rrugëtimi kulturor. Ndër të tjera, të tilla pritet të vendosin kontaktin e ndërsjellët të artistëve në dy vendet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›