Bursa për doktoratura në Rumani
Ambasada e Rumanisë në Tiranë ka ofruar nëpërmjet Universitetit të Tiranës një sërë bursash për doktoratura në universitetet rumune.
“Programi u adresohet studentëve në doktoraturë dhe kërkuesve nga shtetet anëtare të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë (ONF). Bursat akordohen nga Rumania, nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe administrohen nga Agjencia Universitare e Frankofonisë, - bën të ditur Universiteti i Tiranës. - Kohëzgjatja e një burse shkon nga 3 në 5 muaj, duke filluar në datën 1 prill 2010, në varësi të zgjatjes së projektit kërkimor. Data e fundit për dorëzimin e dosjeve të kandidatëve është 11 dhjetor 2009”.
Secili kandidat duhet të marrë kontakt me një nga 22 universitetet rumune dhe, pasi të jetë pranuar nga njëri prej tyre, duhet të dorëzojë dosjen personale në zyrën rajonale të AUF-së, së cilës i përket universiteti ku ka aplikuar. Më pas, të gjitha dosjet e dorëzuara dërgohen nga ana e zyrave rajonale të AUF-së në zyrën Rajonale për Evropën Qendrore dhe Lindore të AUF-së, me seli në Bukuresht. Pastaj procedohet me përzgjedhjen e dosjeve në bazë të kritereve shkencore, nga ana e një komisioni rajonal ekspertësh.
Bëhet përzgjedhja finale e dosjeve nga ana e një komisioni mikst dhe në fund publikohet rezultati i procedurës dhe emri i bursierëve të përzgjedhur.