SHBA-ja e Gjermania, ndihmë policisë për të luftuar krimin e organizuar
Pajisje speciale nga qeveria amerikane për hetimin e krimit ekonomik, korrupsionit dhe mbrojtjen e të dhënave e provave elektronike, për t’i transportuar direkt në Laboratorin Shkencor Kriminalistik, si dhe 632 mijë dollarë nga qeveria gjermane, një formë mbështetjeje në dogana e pikat kufitare, si dhe luftën kundër trafiqeve, për të plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave. Ministri i Brendshëm, z. Lulzim Basha, ambasadori amerikan John L. Withers II dhe ambasadori gjerman, Bernard Borchard, morën pjesë dje në ceremoninë e dhurimit të këtyre pajisjeve speciale për hetimin e krimit ekonomik, donacion i qeverisë amerikane, dhe lançimin e fazës së dytë të projektit për forcimin e kontrollit të kufijve dhe luftën kundër trafiqeve të paligjshme dhe krimit të organizuar, që financohet nga qeveria gjermane. Ministri Basha e vlerësoi ndihmën e qeverisë amerikane mjaft domethënëse në aspektin e mbështetjes në luftën kundër krimit ekonomik dhe të besimit që kanë fituar agjencitë ligjzbatuese në Shqipëri. “Vlerësoj ndihmën e partnerëve tanë për këtë ndihmë dhe i siguroj se investimi i taksapaguesve euroatlantikë në ndihmë të Policisë së Shtetit nëpërmjet trajnimeve është një investim, i cili do të shërbejë për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve të Policisë së Shtetit. Njohuritë e fituara si dhe perfomanca e personelit të Policisë së Shtetit do të jenë kritere vendimtare për sa u përket gjithë politikave të kuadrit”, - tha ministri Basha. Duke falënderuar ndërkohë edhe qeverinë gjermane për financimin e fazës së dytë të projektit për forcimin e sigurisë kufitare dhe luftën kundër trafiqeve të paligjshme dhe krimit të organizuar, ministri Basha theksoi se në sajë të ndihmesës së qeverive të vendeve euroatlantike po implementohet me sukses strategjia e menaxhimit të integruar të kufirit, si dhe po bëhet progres në luftën kundër krimit të organizuar. “Çdo moment ndjejmë të jemi bashkë në këtë luftë, çdo gjë që arrijmë na afron me standardet më të mira të policimit, të sigurisë dhe rendit në vend. Përparimi në fushën e teknologjisë së informacionit dhe dhënia e instrumenteve të ndryshme nëpërmjet buxhetit të shtetit dhe donatorëve është një aspekt që po përparon mjaft mirë në luftën kundër kriminalitetit. Megjithatë, garancia më e mirë për vazhdimin me sukses të kësaj lufte është vullneti politik dhe kapacitetet gjithmonë në rritje të Policisë së Shtetit”, - deklaroi ministri Basha.
Basha: Përparime të dukshme në sigurinë e kufijve dhe identifikimin e shtetasve
Duke sjellë në vëmendje faktin se forcimi i kapaciteteve në fushën e teknologjisë së informacionit është një prioritet i punës së qeverisë “Berisha”, ministri Basha u shpreh se përparime të dukshme në këtë drejtim janë bërë pikërisht në fushën e sigurisë së kufijve dhe të identifikimit të shtetasve. Në këtë aspekt, Basha u bëri të ditur të pranishmëve se para disa ditësh ka përfunduar instalimi i sistemit TIMS në të 26 pikat e kalimit kufitar, në të cilat funksionon edhe lidhja me bazën e të dhënave të Interpolit, brenda dy javësh përfundon instalimi i sistemit MEMEX në të gjitha drejtoritë e policisë në qarqe dhe ndërkohë po punohet për ndërfaqen e këtyre sistemeve me sistemet e tjera elektronike qeveritare, siç është Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile. “Jemi të bindur se duke punuar bashkë me të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë, do të arrijmë të triumfojmë ndaj çdo lloj fenomeni dhe shfaqjeje kriminale, do të sigurojmë një ambient sa më të sigurt për qytetarët tanë dhe do të përmbushim çdo aspekt të procesit të liberalizimit të vizave”, - u shpreh ministri i Brendshëm, z. Lulzim Basha.
Withers: Donacioni, në ndihmë të luftës kundër krimit kompjuterik
Ambasadori i SHBA-së, Withers, duke vlerësuar në fjalën e tij punën e Policisë së Shtetit në përballjen me sfidat e reja të kriminalitetit, u shpreh se kompjuterët dhe programet e sofistikuara që dhurohen do të përmirësojnë ndjeshëm aftësitë e seksionit të analizës ligjore të sektorit të krimit kompjuterik, për të rikuperuar provat elektronike. Withers e cilësoi thelbësor rritjen e kapaciteteve të policisë shqiptare në hetimet dhe ndjekjet penale moderne, veçanërisht ato që përfshijnë mashtrimin financiar, krimin e organizuar, korrupsionin, pastrimin e parave, krimin kompjuterik dhe shkeljet tatimore. Donacioni përfshin edhe botimin e një manuali në bashkëpunim me UNODC, mbi identifikimin e provave elektronike, mbrojtjen dhe ruajtjen e tyre, si dhe mbi metodat e transferimit të sigurt të tyre në Laboratorin e Kriminalistikës për t’u analizuar.
Borchard: Projekti gjerman, mbështetje për liberalizimin e vizave
Në fjalën e tij përshëndetëse, ambasadori gjerman, Borchard, theksoi se financimi i fazës së dytë të projektit për sigurinë e kufijve dhe luftës kundër krimit të organizuar e trafiqeve të paligjshme kryhet në kuadër të mbështetjes që po jep qeveria gjermane për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë. Ambasadori Borchard vlerësoi se rezultatet e deritanishme në luftën kundër krimit të organizuar janë mjaft optimiste dhe ndihma e qeverisë gjermane konsiston në zhvillimin e elementëve të bashkëpunimit ndërinstitucional në luftën kundër krimit të organizuar. Faza dytë e projektit për forcimin e sigurisë së kufijve, luftën kundër trafiqeve të paligjshme dhe krimit të organizuar, ka vlerën e 632 mijë dollarëve dhe do të lëvrohet brenda këtij viti. Kjo ndihmë konsiston në blerje pajisjesh për policinë dhe doganat dhe trajnime për specialistët e tyre me theks të veçantë bashkëpunimin mes dy institucioneve.