Falen kamatëvonesat e sigurimeve shoqërore për fermerët, kush përfiton
Drejtori i Sigurimeve Shoqërore Durrës, Frederik Tufa, ka deklaruar se “qeveria ka menduar t’u falë fermerëve kamatëvonesat e pagesave të sigurimeve shoqërore, për të lehtësuar xhepat e tyre, por edhe ata duhet patjetër të tregohen korrektë me shlyerjen e detyrimeve ndaj shtetit këtej e tutje”. Duke folur për “standard” Tufa tha: “Kjo vlen për sigurimin e pensioneve të pleqërisë, ndaj të gjithë fermerët që ushtrojnë aktivitet bujqësor e elektoral, duhet të sigurojnë të ardhmen e tyre, dukë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”. Duke siguruar veten dhe fëmijët e tyre, ata do të përfitojnë tri kategoritë e pensioneve (pension pleqërie, invaliditeti, familjar), kurse pagesa e lejes së lindjes dhe shpërblimin e lindjes, vizita mjekësore falas dhe rimbursimin e ilaçeve. Duke siguruar veten për 17 vjet e 6 muaj dhe 1 ditë, pavarësisht se vitet që keni punuar para kësaj periudhe kanë qenë në sektorin bujqësor (pra vite kooperative) dhe shuma e atyre viteve është më e madhe se derdhja që keni bërë, ju do të përfitoni pension pleqërie nga shteti. Tufa vazhdoi: “Për vitin aktual pagesa është vetëm 13600 lekë për sigurimet shoqërore dhe 3360 lekë për sigurimin shëndetësor. Pra, me këtë pagesë fermerët përfitojnë një vit sigurimi, që do të thotë një vit më shumë pension”. Pagesat që nga viti 1993 e deri në vazhdim, janë pagesa me kuota shumë të ulëta dhe avantazhi është se ata persona që hyjnë për herë të parë në skemë, duke bërë këtë pagesë për vitet nga 1993-2009, nuk paguajnë kamatëvonesa.
Për të bërë këtë pagesë fermeri duhet të këtë në pronësi tokë (duke përfshirë këtu si tokën e përfituar nga ligji 7501, edhe atë të blerë apo të marrë më qera) dhe të ushtrojë aktivitet bujqësor e elektoral, me qëllim që për këto vite që ka bërë derdhjen e lekëve, të merren të mirëqena nga DRSSH për vitet e pensionit. Përpara se të paraqitet fermeri pranë inspektorëve të Sigurimeve Shoqërore, duhet të jetë i pajisur me dokumentin e identifikimit, vërtetimin e tokës (të cilin do ta marrë në Kadastër) ose kontratën në rastin e marrjes me qera, vërtetim që ushtron aktivitet bujqësor apo elektoral (të cilin do ta marrë në bashkinë apo komunën ku ai banon ose DBU). Pasi inspektori i Kontributeve do t’ju sqarojë për sa vite duhet të bëni derdhjet, ju do të bëni derdhjen në bankën që ju keni zgjedhur. Do të jetë ajo që do t’ju pajisë me mandatin përkatës dhe këtë mandat do ta paraqisni tek inspektori përkatës për të marrë librezë kontributi. Theksojmë së për fermerët e ardhur nga rrethet e tjera në Durrës dhe që tokën nuk e kanë të fituar nga ligjin 7501, por e kanë blerë apo e kanë me qera, duhet që në dokumentin e identifikimit të marrë në gjendje civile, të cilësohet data e lejes së banimit në Durrës, pasi këtij fermeri derdhja do t’i quhet e mirëqenë nga viti 2006. Për raste kur fermeri e ka fituar tokën me ligjin 7501, pavarësisht se kur është pajisur me leje banimi në Durrës, atij derdhja do t’i merret në konsideratë për të gjitha vitet që ka derdhur kontribut. Në rast se toka është në pronësi të kryefamiljarit dhe këtë derdhje duhet ta bëjë një pjesëtar i familjes, për t’iu quajtur këtij të fundit vite pune, duhet të pajiset me një certifikatë të trungut familjar. Në bazë të ligjit 7703, datë 11.05.1993 dhe 9136, datë 11.09.2003 derdhjet e kontributeve të sigurimeve shoqërorë nga mosha 16 vjeç deri në moshën e daljes në pension, janë të detyrueshme. Falja e kamatëvonesave vlen deri në fund të vitit 2009.
Vitet Kontributi
1993 405
1994 1620
1995 1620
1996 1620
1997 1620
1998 1620
1999 1620
2000 1620
2001 1620
2002 3890
2003 5215
2004 6951
2005 7820
2006 9455
2007 10000
2008 12000
2009 13600
Shuma 82296 lekë