Gjirokastër; Prezantohet drejtori i ri, Vata, premtohet pastrimi i radhëve të policisë nga të inkriminuarit
Në Gjirokastër është prezantuar dje drejtori i ri i policisë së qarkut, Drejtues i Parë Emri Vata, i cili vjen në këtë detyrë nga drejtor i Policisë së Qarkut Korçë. Prezantimi i tij është bërë mesditën e djeshme para efektivëve nga zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për Hetimin e Krimit, zoti Agron Kuliçaj. Ai ka vlerësuar integritetin moral dhe profesional të zotit Emri Vata, si dhe ka theksuar se rezultatet e arritura në Qarkun Korçë, por edhe më parë në detyrat e tjera që ka kryer janë inkurajuese dhe gjithnjë në rritje dhe shprehu bindjen se këtë detyrë do ta kryejë me përgjegjësi dhe ndershmëri. Ndër të tjera, ai ka vlerësuar punën e deritanishme të strukturave të Policisë së Qarkut Gjirokastër, por është shprehur se akoma në këtë qark kemi shumë punë për të bërë në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar. Zoti Kuliçaj i ka kërkuar drejtorit të sapoemëruar, që së bashku me strukturat e policisë që ka në vartësi të rrisin forcën goditëse ndaj krimit të organizuar dhe krimit në përgjithësi dhe veçanërisht ndaj kultivimit të bimëve narkotike. Ai ka theksuar me forcë se qysh tani të merren masa parandaluese në të gjitha format që lejon ligji në drejtim të kultivimit të bimëve narkotike, veçanërisht në zonat e identifikuara më parë, pavarësisht se këtë vit kemi tjetër panoramë nga viti i kaluar, si dhe të goditet me tolerancë zero trafiku i lëndëve narkotike dhe klandestinëve. Një porosi tjetër e dhënë nga zoti Kuliçaj ishte dhe performanca e punonjësve të policisë në komunitet, si dhe pastrimi i radhëve të policisë nga punonjës policie të veçantë, të cilët kanë lidhje me elementë trafikantë. Për të gjitha këto, Drejtues i Parë, Emri Vata, ka premtuar dhe siguruar se këto prioritete do përmbushen me sukses nga ai dhe strukturat e Policisë së Qarkut Gjirokastër. Më tej, zoti Vata ka premtuar një bashkëpunim të frytshëm me të gjitha institucionet, pushtetin vendor, agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit, mediat, shoqërinë civile dhe komunitetin.