Bursa për master në Oksford, Jork, Suseks nga “Soros”, si të përfitoni
Kanë nisur aplikimet për bursa në Britaninë e Madhe dhe në vende të tjera të Evropës nga “Soros”. Dokumentacioni në www.soros.al
Fondacioni për Shoqërinë e Hapur “Soros” ka hapur tashmë aplikimet për të gjithë ata që duan të fitojnë bursë për jashtë vendit, për studime master, ose doktorature. Bursat janë për në universitetet më të njohura në Evropë, si Oksford, Suseks, Universiteti Amerikan i Bullgarisë, apo Universiteti i Evropës Qendrore në Budapest. Ndërkohë që afatet e fundit të aplikimit janë përgjatë muajit janar, në varësi të programit.
Universiteti i Suseksit
Nëse keni dëshirë të vijoni një program master njëvjeçar, një prej mundësive që ofron “Soros” është në Universitetin e Suseksit (Sussex). Bursa e ofruar nga “Soros”, në bashkëpunim me universitetin mbulojnë tarifën e shkollimit, si edhe shpenzimet e udhëtimit dhe të jetesës për totalin e mësimit prej 11 muajsh. Bursat mund të jenë në programet “Master për Studime Evropiane Bashkëkohore” dhe “Master ne Politika Evropiane”, ndërkohë që kriteret janë të shumta.
“Aplikantët duhet jenë me kombësi shqiptare dhe residentë në Shqipëri. Duhet të kenë rezultate akademike të shkëlqyera dhe njohuri shumë të mira të gjuhës angleze. Me përfundimin e bursës, aplikantët janë të detyruar të kthehen dhe të punojnë në vendin e tyre”, – përcakton “Soros”. “Aplikimet e plotësuara duhet të sillen në zyrën e Fondacionit “Soros” në tre kopje (origjinale dhe dy fotokopje të gjithë materialeve në tre zarfe të veçantë) në adresën e mësipërme jo më vonë se data 30 janar 2009”.
Universiteti i Stradfordshajrit
Një tjetër universitet për të cilin “Soros” ofron bursa është ai i Stradfordshajrit (Staffordshire), në të cilin ofrohet bursë për MPhil dhe PhD (master dhe doktoraturë) në Ekonomi. “Aplikantët duhet të jenë qytetarë shqiptarë e me banim në Shqipëri”, – përcakton “Soros”. “Të kenë rezultate të shkëlqyera akademike dhe të kenë njohuri të mira të gjuhës angleze. Ata duhet të jenë pedagogë ose të merren me punë kërkimore në një institucion akademik ose organizatë që merret me punë kërkimore”.
Sipas Fondacionit për Shoqërinë e Hapur, bursa mbulon shpenzimet për tarifat akademike në Universitetin Staffordshire, shpenzimet e jetesës (vetëm për një person) dhe shpenzimet e udhëtimit. Bursa zgjat për 4 vjet. “Çdo vit studenti do të shpenzojë 3-4 muaj në Universitetin Staffordshire dhe pjesën tjetër në institucionin e vendit të tij. Pas mbarimit të bursës, studenti duhet të kthehet në vendin dhe institucionin e tij”, – bën të ditur “Soros”.
Afati i fundit i aplikimeve është data 23 janar 2009. Pranë “Soros”, duhet të paraqitet dokumentacioni në dy kopje (origjinale dhe fotokopje të dokumentacionit në dy zarfe të veçantë). Dokumentacioni gjendet në faqen www.soros.al.
Universiteti i Oksfordit dhe ai i Jorkut
Këtë vit fondacioni do të japë bursa kërkimore ë Universitetin e Oksfordit, si edhe bursa për master në Universitetin e Oksfordit dhe në Universitetin e Jorkut. Bursa kërkimore është nëntëmujore “për kërkime pasuniversitare, që ndihmojnë në procesin e doktoraturës së kandidatit në vendin e tij. Kjo bursë jepet për kërkime në Shkencat Humanitare, Shkencat Shoqërore, ose Të Mjedisit”. Ndërkohë që bursa për Master në Universitetin e Oksfordit është për një afat një vjeçar. Ajo jepet në fushat: Shkencat Humanitare, Shkencat Shoqërore, dhe Të Mjedisit (me përjashtim të kurseve që përfshihen në Listën “Management Studies”). Ndërkohë në Universitetin e Jorkut ofrohen bursa për Master në Filozofi Politike (Ideja e Tolerancës). “Aplikantët duhet të keni rezultate të shkëlqyera akademike, një motivim të qartë se përse dëshirojnë të studiojnë, dhe një zotërim të rrjedhshëm të gjuhës angleze”, – përcakton “Soros”. Sipas fondacionit, aplikimet e plotësuara duhet të sillen në zyrën e Fondacionit “Soros” në tre kopje (origjinale dhe 2 fotokopie të gjithë materialeve në tre zarfe të veçantë), jo më vonë se data 14 janar 2009. Dokumentacioni gjendet në www.soros.al.
Bursa në Gjermani
Ndërkohë “Soros” ofron edhe bursa për në Gjermani, afati i fundit i aplikimit, për të cilat është më 28 janar. “Që prej vitit 2008 gjitha vendet e Ballkanit do të futen në skemën e bursave OSI-DAAD, një program bursash i sponsorizuar nga OSI dhe DAAD (German Academic Exchange Program). Ky program ka për qëllim financimin e studimeve pasuniversitare në Gjermani, në shkencat humane dhe sociale. Nga ky program pasuniversitar përfitojnë shtatë vende ballkanike dhe konkretisht: Shqipëria, Kroacia, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia”, – bën të ditur “Soros”.
Programi përfshin bursa studimi për master në afat dyvjeçar dhe doktoratura me afat 3-vjeçar në universitete gjermane. Aplikimet për çdo shtet ballkanik do të jenë çdo dy vjet.
Ndërkohë që edhe në programin “Global Promotion Project” të Erasmus Mundus, mund të gjendet mundësi për bursa, me anë të faqes së internetit www.study-in-europe.org. “Soros” prej vitesh ofron një gamë të gjerë bursash për të gjitha fushat akademike. Bursat e mësipërme janë për vitin akademik 2008-2009, ndërkohë që informacion të detajuar mbi to mund të gjeni në faqen www.soros.al.