E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fluks emigrantësh në kufi, radhë në Kakavijë



Porti i Durrësit, Kakavija dhe Kapshtica me radhë të gjata emigrantësh në prag të festave

Ditët e fundit të vitit kanë zgjedhur të kthehen në atdhe një numër jo i vogël emigrantësh që kthehen për festat e fundvitit. Gjatë ditës së djeshme, në pikat kryesore kufitare të vendit ka pasur një fluks të madh automjetesh dhe makinash si edhe pritje të gjata, kryesisht për shkak të ngathtësisë së palës greke.

Kakavijë e Kapshticë

Mijëra persona kanë hyrë gjatë ditës së djeshme nga vendkalimi i Kakavijës në Gjirokastër. Emigrantët shqiptarë në Greqi kanë zgjedhur pikërisht ditët e fundit të vitit për t`u kthyer në atdhe duke krijuar fluksin më të madh në këtë vendkalim gjatë këtij viti. Mbi 12 mijë emigrantë që jetojnë dhe punojnë në Greqi, kanë hyrë dje në vendin tonë nga Kakavija, duke krijuar edhe radhë të gjata. Ndërkohë që, burime zyrtare nga Drejtoria Rajonale për Kufirin dhe Migracionin të qarkut Gjirokastër, thanë se, janë marrë të gjitha masat për të mos pasur probleme gjatë kthimit të emigrantëve. Ato bënë të ditur se strukturat e policisë kufitare kanë marrë një plan masash për të përballuar fluksin.

Edhe në pikëkalimin e Kapshticës në Rrethin e Korçës ka pasur fluks të madh hyrjeje gjatë ditës së djeshme. Ndonëse, fundjava ka shënuar hyrjen e një numri prej më shumë se 5 mijë personave në këtë vendkalim, pra shumë herë më pak sesa në Kakavijë, pritja ka qenë më e madhe, pasi ka vonuar pala greke. Ardhja masive e emigrantëve për festat e fundvitit, ka qenë e pritshme tani në prag të Krishtlindjeve, por vetë numri i madh i tyre dhe një punë me rimte jo të larta e palës greke, duke u gdhirë dita e shtunë, ka sjellë radhë të gjata mjetesh matanë kufirit

Porti i Durrësit

Por fluks të madh automjetesh dhe njerëzisht që kthehen për pushimet në vendlindje ka pasur edhe në Portin e Durrësit, ku prej më se një jave është rritur ndjeshëm numri i personave që rikthehen në atdhe. Burime nga Porti i Durrësit bëjnë të ditur se prej datës 22 tragetet kanë sjellë nga portet italiane me mijëra emigrantë shqiptarë, çka është shoqëruar edhe me rritjen e shkallës së sigurisë portale. Këto burime bëjë të ditur se edhe gatishmëria e policisë dhe doganës është rritur në mënyrë që të mënjanohen problemet që mund të lindin për shkak të fluksit. Autoriteti Portual Durrës ka kërkuar shtimin e numrit të kalatave që përdoren për mbërritjen e trageteve, por, sektori i policisë amerikane, që monitoron portin e Durrësit, ka kundërshtuar propozimin e autoriteteve të këtij porti për përdorimin e kalatave të tjera në funksion të trageteve gjatë ditëve të fluksit të emigrantëve. Sipas policisë amerikanë mungon infrastruktura e nevojshme nëpër kalatat jashtë terminalit të trageteve, me anë të së cilës do të mund të mbahej nën kontroll situata e trafiqeve të paligjshme si ajo e drogës apo e klandestinëve. Në këto kushte kompanitë e lundrimit kanë vendosur të kryejnë dy udhëtime në ditë, infrastruktura portuale po mundohet t’i përgjigjet këtij fluksi, pasi kalata e trageteve nuk ka kapacitetet e nevojshme për përballimin e këtij arsenali mjetesh lundruese. Nga ana e tyre, policia dhe dogana kanë marrë masa për rritjen e numrit të sporteleve si dhe të efektivave policorë dhe të atyre doganorë.

Ardhja e emigrantëve ka bërë që në të gjitha pikat e kalimit të vendit të shtohen radhët e mjeteve që duan të kalojnë në Shqipëri. Çdo fundvit, por edhe në verë, në Kakavijë, Kapshticë dhe në portin e Durrësit shtohet fluksi i mjeteve, ndërkohë që në shumë raste pala greke në dy vendkalimet e para punon me staf të kufizuar duke vonuar procesin. Emigrantët po kthehen në Shqipëri për festat e fundvitit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›