E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bursat, Bashkia e Tiranës përcakton kriteret dhe masat

SHKRUAN: Jonida Tashi 14-10-2011 12:24

Afati përfundimtar për plotësimin e dorëzimin e dokumentacionit do të jetë data 4 nëntor. Kategoritë që përfitojnë dhe sa do të jetë shuma e bursës, gjysmë bursës sipas anëtarëve të familjes

Bashkia e Tiranës përcakton procedurat për trajtimin me bursë shtetërore të nxënësve dhe studentëve për vitin shkollor 2011-2012. Drejtoria e Menaxhimit të Strehimit dhe Shërbimit Social informon se Bashkia e Tiranës, në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave nr.526, datë 20.07.2011 “Për kuotat financiare të ushqimit në mensa dhe konvikte, bursat e shtetit dhe pagesat e nxënësve dhe të studentëve, në institucionet arsimore publike, për vitin shkollor 2011 – 2012”, do të shqyrtojë kërkesat e të gjithë nxënësve dhe studentëve, të cilët dëshirojnë të aplikojnë për të përfituar bursë shtetërore.

Afati përfundimtar për plotësimin e dorëzimin e dokumentacionit do të jetë data 4 nëntor 2011, dokumentacion i cili duhet të dorëzohet pranë Zyrës së Informimit Qytetar, Bashkia e Tiranës. Nga Bashkia e Tiranës do të rishqyrtohen bursat e nxënësve që janë vendosur në konviktet me vendndodhje në qytetin e Tiranës e që ndjekin vitet e dyta e lart. Nxënësit që vitin e parë kanë përfituar bursë, me vendim të Këshillit të Bashkisë apo Komunës ku ata kanë vendbanimin e përhershëm, e marrin këtë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit, nëse atyre nuk u ndryshojnë kriteret ekonomike dhe nuk rezultojnë mbetës. Ndërsa studentët, banorë të Tiranës, që vitin e parë kanë përfituar bursë me vendim të Këshillit të Bashkisë së Tiranës, e marrin këtë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit, nëse atyre nuk u ndryshojnë kriteret ekonomike dhe nuk rezultojnë mbetës. Bursat e studentëve për vitin e dytë e lart, rishqyrtohen dhe miratohen çdo vit nga institucionet publike të arsimit të lartë. Për vitin shkollor 2011-2012, Bashkia e Tiranës do të trajtojë me bursë shteti 15 studentë që vijnë nga familje me të ardhura të pakta, invalidë, paraplegjikë, tetraplegjikë.

Kriteret

Kriteret e përfitimit të bursës janë të ndara në disa kategori specifike, ku përfshihen pagesat që jepen sipas gjendjes ekonomike, jashtë kushtit ekonomik për disa fëmijë, prindërit e të cilëve kanë humbur jetën në krye apo për shkak të detyrës, sipas rezultateve të arritura dhe degëve prioritare të ekonomisë. Përfitojnë bursë sipas kriterit ekonomik kur: nxënësit/studentët që vazhdojnë studimet larg vendbanimit të tyre në largësinë mbi 5 km dhe plotësojnë kriterin ekonomik; nxënësit që banojnë në fshat, të cilët nuk kanë shkollë 9-vjeçare brenda rrezes prej 5 km, e që vendosen në konvikt publik; nxënësit/studentët që kanë përfituar statusin e jetimit dhe që plotësojnë kriterin ekonomik; nxënësit/studentët, të cilët kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë dhe që plotësojnë kriterin ekonomik; secili nga studentët bashkëshortë me fëmijë, që plotëson kriterin ekonomik dhe vendoset në konvikt publik; fëmijët, nxënës apo studentë, që kanë statusin e invalidit, paraplegjikut dhe tetraplegjikut dhe që plotësojnë kriterin ekonomik. Sipas rezultateve të arritura përfitojnë bursë: nxënësit e arsimit të mesëm profesional që kanë mbaruar vitin shkollor paraardhës me të gjitha notat 10-ta; nxënësit të cilët vazhdojnë studimet në shkollat profesionale, në degët bujqësore, veterinare, pyjore dhe ndërtim, në vitet e dyta e lart dhe që kanë mbaruar vitin akademik pararendës me notën mesatare mbi 8 (tetë); studentët të cilët regjistrohen në vitin e parë të shkollës së lartë, që kanë mbaruar shkollën e mesme me medalje ari; studentët që regjistrohen në vitin e parë të shkollës së lartë, që janë shpallur nga Ministria e Arsimit më të mirët e Maturës Shtetërore, sipas renditjes në listën e vlerësimit. Kjo kategori studentësh përfiton bursë kur ata vazhdojnë studimet në institucionet e arsimit të lartë publik dhe vetëm për vitin akademik 2011-2012. Jashtë kriterit ekonomik përfitojnë bursa nxënësit apo studentët, fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye apo për shkak të detyrës. Në fillim të çdo viti akademik Ministria e Brendshme, Shërbimi Informativ Shtetëror, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Mbrojtjes dërgojnë në Ministrinë e Arsimit listën për këtë kategori nxënësish/studentësh. Kurse sipas degëve prioritare për zhvillimin e ekonomisë marrin bursa nxënësit që regjistrohen dhe ndjekin studimet në vitin e parë shkollor 2011-2012, në shkollat profesionale, në degët bujqësore, veterinare, pyjore, ndërtim dhe teknologji informacioni.

Rastet kur nuk merr bursë

Nxënësit dhe studentët nuk përfitojnë bursë ose humbasin të drejtën e përfitimit të bursës, kur: janë ndarë nga trungu familjar; familjet e tyre ushtrojnë veprimtari private; vazhdojnë studimet në një program të dytë studimi; shpallen ngelës dhe humbasin vitin shkollor për arsye të rezultateve jokaluese.

Kushtet ekonomike të nxënësit dhe studentit për dhënien e bursës

Të ardhurat mujore për frymë

Nr. Përbërja familjare Bursa Gjysmë bursa Me pagesë

Për qytetin

1 Për familjet me 2 persona Deri 3200 lekë 3200-4600 lekë Mbi 4600 lekë

2 Për familjet me 3 persona Deri 3100 lekë 3100-4500 lekë Mbi 4500 lekë

3 Për familjet me 4 persona Deri 3000 lekë 3000-4400 lekë Mbi 4400 lekë

4 Për familjet me 5 persona Deri 2900 lekë 2900-4300 lekë Mbi 4300 lekë

5 Për familjet me 6 persona Deri 2800 lekë 2800-4200 lekë Mbi 4200 lekë

6 Për familjet me 7 persona Deri 2700 lekë 2700-4100 lekë Mbi 4100 lekë

7 Për familjet me 8 persona Deri 2600 lekë 2600-4000 lekë Mbi 4000 lekë

Dokumentacioni që duhet dorëzuar për aplikim për bursë shteti

1. Kërkesë me shkrim nga nxënësi, studenti ose prindi.

2. Certifikatë e përbërjes familjare të nxënësit apo studentit.

3. Vërtetim nga njësia bashkiake ku është i regjistruar si banor.

4. Vërtetim që është nxënës/student i shkollës së mesme apo të lartë, ku të përcaktohet dhe viti i studimit që ndjek aktualisht, si dhe nëse rezulton mbetës apo jo për vitin shkollor 2010-2011.

5. Vërtetim nga konvikti për nxënësin/studentin që jeton në konvikt.

6. Fotokopje e noterizuar e statusit të jetimit, në ato raste që e gëzojnë këtë status.

7. Fotokopje e noterizuar e statusit të invalidit, paraplegjik, tetraplegjik, në ato raste që e gëzojnë këtë status.

8. Vendim të gjykatës për ato raste që nxënësit/studentët kanë humbur kujdestarinë prindërore.

9. Listë notash e noterizuar për nxënësit e arsimit të mesëm profesional që në vitin pararendës kanë dalë me të gjitha notat 10-ta.

10. Vërtetim nga shkolla për nxënësit e shkollës së mesme profesionale të ndërtimit, që vitin akademik pararendës e kanë mbaruar me notën mesatare mbi 8 (tetë);

11. Fotokopje e noterizuar e Medaljes së Artë, të fituar në mbarim të shkollës së mesme.

12. Fotokopje e noterizuar e certifikatës nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për më të mirët e Maturës Shtetërore, për vitin 2011.

13. Vërtetim që janë fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, Forcave të Armatosura, Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye apo për shkak të detyrës.

14. Deklaratë ekonomike.

15. Dokumentacioni që vërteton të ardhurat e trungut familjar:

• Vërtetimin përkatës nga punëdhënësi për detyrën dhe të ardhurat (neto) për kryefamiljarin apo personat e tjerë të familjes, që janë në marrëdhënie pune.

• Dokumentin nga organet tatimore dhe ato të sigurimeve shoqërore për derdhjen e kontributeve, kur njëri nga anëtarët e familjes është i vetëpunësuar.

• Në rast se nuk janë në marrëdhënie pune, vërtetim nga zyra e ndihmës dhe përkujdesit social pranë njësive bashkiake, për anëtarët e familjes, të përfshirë në programin e ndihmës ekonomike. Vërtetimet të kenë numrin e kartelës së personit.

• Vërtetim nga zyra e ndihmës dhe përkujdesit social pranë njësive bashkiake, për anëtarët e familjes, të përfshirë në programin e pagesës për personat me aftësi të kufizuar;

• Vërtetim nga zyra e punësimit, nëse figuron i regjistruar si i papunë.

• Në rast se prindërit janë në pension, vërtetim nga Dega e Sigurimeve Shoqërore duke përcaktuar pensionin dhe shtesat e tjera. Vërtetimi të ketë dhe numrin e kartelës së personit.

• Vërtetim nga zyra e tatimeve për të gjithë anëtarët madhorë të familjes nëse kanë veprimtari private.

• Vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për zotërim prone për të gjithë anëtarët madhorë të familjes.

• Vërtetimin nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme të vendit të origjinës, për zotërim prone për të gjithë anëtarët madhorë të familjes.

• Vërtetim nga shkolla për fëmijët e tjerë të familjes, të cilët janë në marrëdhënie shkolle.

• Vërtetim nga institucionet përkatëse për pjesëtarë të familjes që janë ushtarë, jashtë shtetit etj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›