Pollo: Qeverisja elektronike do të kursejë para
Në vitet e fundit, forcimi i qeverisjes elektronike ka qenë rregullisht ndër temat qendrore të komunikimit publik të kryeministrit. Në mbështetje të këtij objektivi, qeveria shqiptare ka vendosur të ngrejë në çdo ministri apo institucione të varësisë njësinë e teknologjisë së informacionit e të komunikimit, si një strukturë organizativo-teknike për projektimin, zbatimin dhe administrimin e qeverisjes elektronike. Për të bashkërenduar punën mes këtyre njësive, u mblodh sot për herë të parë, në drejtimin e ministrit të Teknologjisë së Informacionit, Genc Pollo, Këshilli Teknik për qeverisjen elektronike. Ministri Pollo tha se forcimi i qeverisjes elektronike do të përmirësojë shërbimet dhe do të kursejë paratë e taksapaguesve. Njësitë e qeverisjes elektronike do të përcaktojnë kriteret bazë, mbi të cilat do të riorganizohen sektorët e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në institucionet qendrore apo të varësisë së tyre. Ato do të standardizojnë praktikat e punës për të gjitha institucionet.