Bursat e huaja, Greqia ofron 25 bursa universitare dhe pasuniversitare
Qeveria Greke ka ofruar 25 bursa universitare dhe pasuniversitare për të rinjtë shqiptar që duan të ndjekin studimet në këtë shtet. Ministria e Arsimit Kombëtar dhe Fesë e Republikës së Greqisë ka shpallur programin e saj të bursave për shtetasit e huaj të vendeve të Ballkanit, Evropës Lindore, Azisë dhe Afrikës, për vitin akademik 2008-2009, si më poshtë: 10 (dhjetë) bursa për studime të gjuhës greke, për një vit akademik; 10 (dhjetë) bursa për studime pasuniversitare, deri në tre vite akademikë (2008-2011); 5 (pesë) bursa për studime pasuniversitare për doktoraturë, deri në tre vite akademikë (2008-2011).
Pas kësaj oferte studimesh MASH-i ka njoftuar se të gjithë aplikantët duhet të dërgojnë, deri në datën 15 maj 2008, në Ambasadën Greke në Tiranë, Konsullatën Greke në Korçë dhe në Konsullatën Greke në Gjirokastër, 11 dokumentet e mëposhtme: Formularin e aplikimit, i cili mund të tërhiqet pranë Sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë në MASH; Fotokopjen e letër njoftimit ose të pasaportës; Diplomën e mbarimit të studimeve të larta; Dëshminë për njohjen e gjuhës së huaj që kandidati pretendon se di; Dy letra rekomandimi; CV; Raportin mjekësor për aftësi studimesh; Kursin e studimeve që dëshiron të ndjekë; Certifikatën e lindjes me fotografi; Dëshminë e pranimit nga një universitet në Greqi ose nga institucioni kërkimor-arsimor; Kaërt fotografi 4x6. Kandidatët, të cilët janë të interesuar për bursat e mësipërme, duhet të jenë nën moshën 35 vjeç dhe të mos kenë përfituar bursë më përpara nga Ministria e Arsimit Kombëtar dhe Fesë të Greqisë. Dokumentet e kërkuara duhet të jenë të përkthyera në greqisht, në anglisht ose në frëngjisht dhe të noterizuara. Jonida Tashi
Ambasada spanjolle, hap konkursin e parë letrar për tregimin e shkurtër
Ambasada e Spanjës në Tiranë hap konkursin e parë për tregimin e shkurtër “Don Kishoti i Mançes” , ku mund të marrin pjesë gjithë qytetarët shqiptarë mbi 16 vjeç, duke paraqitur vetëm një punim për autor. Ministria e Arsimit bën të ditur se veprat e paraqitura duhet të jenë origjinale dhe të pabotuara, të jenë të shkruara në shqip dhe të mos kenë qenë të vlerësuara në asnjë konkurs tjetër. Veprat maksimumi duhet të jenë me pesë faqe, në format A4. Teksti duhet të paraqitet i shtypur, i shkruar me hapësirë dyshe, me shkrim Times New Roman dhe me germa të madhësisë 12. Përmbajtja e punimit duhet të jenë mbi ndonjë personazh, episod apo element që gjendet në veprën “Don Kishoti i Mançes”, i Migel de Servantesit, ose t’i referohen kësaj vepre dhe të gjithë aspektet e tjera te veprës i lihen kritereve të autorit. Punimet mund të paraqiten duke u dërguar me postë (në tri kopje) në Ambasadën e Spanjës dhe si një mesazh elektronik dërguar në emb.tirana@maec.es. Në të dy rastet duhet të përfshihen edhe të dhënat personale të autorit (emër, mbiemër dhe moshë), ashtu si dhe të dhënat e kontaktit (adresë, telefon dhe e-mail). Sipas MASH, juria do t’i japë një çmim tregimit më të mirë ndër të gjitha punimet e paraqitura. Çmimi do të konsistojë në shumën prej 100 euro, si dhe një set librash të kulturës spanjolle. Paraqitja e punimeve do të jetë e hapur deri në orën 12:00 të datës 18 prill 2008. Rezultati i konkursit do të bëhet publik me 23 prill 2008, që përkon edhe me Ditën e Librit (Përvjetori i Vdekjes së Migel de Servantes).
3 Prill 2008