E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të dëmtuarit e Gërdecit, 12 pacientë po trajtohen në spitale



Aktualisht në dy spitalet më të mëdhenj të vendit, po trajtohen 12 pacientë nga të dëmtuarit e shpërthimit të depos së armatimit në Gërdec. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në QSUT po mjekohen 11 pacientë, ndërsa në Spitalin Ushtarak kanë dalë të gjithë të shtruarit. Ndërkohë, në spitalin turk të Kardiologjisë vazhdon të jetë i shtruar polici i plagosur, Dritan Memoçi, i cili u kthye nga Selaniku dhe po kurohet në vend. Të dhënat e ministrisë tregojnë se pacientët e plagosur të mbetur në QSUT nuk kanë ndonjë problem të rëndë shëndetësor. Deri tani numri i të plagosurve që ndodhen jashtë vendit për kurim më të specializuar është 17 pacientë. Ndërsa 11 prej tyre gjenden në Itali. Pacientët që ndodhen në Itali janë: Mehmet Saliu, Sabrie Picari, Ervis Sejdo, Meltina Haka, Qemal Deliu, Xhafer Breti, Klodian Kodra, Viktor Nikolla, Erison Durda, Resmije Kranja, Fatbardha Çoku. Ndërsa pesë të tjerë po trajtohen në Greqi, të cilët janë: Bashkim Muka, Rexhina Murati, Medi Selami, Lubjana Beja, Naim Farruku dhe dy pacientë në Zvicër, Versile Gjata dhe Dylbere Prendi. Numri i viktimave që humbën jetën si rezultat i shpërthimit të fabrikës që demontonte municione luftarake në fshatin Gërdec të Bashkisë së Vorës, ka arritur në 23.

3 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›