E Shtunë, 31 Tetor 2026

“The New York Times”: “Si u vra Arben Broci në protestën e 2 prillit 1991”

Gazeta rrëfen protestën dhe vrasjen e Brocit dhe 4 të tjerëve në Shkodër. Si u rëndua situata dy ditë pas zgjedhjeve të 31 marsit të vitit 1991

David Binder

Njësitë e ushtrisë hapën zjarr sot mbi demonstruesit antikomunistë që po protestonin për rezultatin e zgjedhjeve në sheshin kryesor në qytetin verior të Shqipërisë, ku u vranë tre persona dhe u plagosen 30 të tjerë. Mijëra të rinj, të zemëruar nga vrasja, rrethuan dy mjete të blinduara të personelit dhe të pozicionuara përpara zyrave të Partisë Komuniste të Shkodrës, iu hapën atyre zjarr me bomba artizanale. Ishte e pamundur që të kuptohej nëse ndonjë nga forcat ushtarake ka qenë i plagosur. Në 3 të pasdite, më tepër se 7 orë pas të shtënave, automjete të blinduara, prodhim rus, qëndronin akoma aty, duke lëshuar shtëllunga tymi të zeza nga pas.
Poshtë me komunistët
Me mijëra të rinj në Shkodër akoma gumëzhinin rreth ndërtesave pesëkatëshe të partisë, ku shumica e dritare të tyre ishin të thyera. Fytyrat ishin të tendosura me zemërim. Vështrimet u hodhën edhe mbi një makinë të huaj ku ishte një reporter i një gazete Perëndimore. Të gjithë të rinjtë, sidomos studentët, mbanin shkopinj dhe ata e pyetën për siguri nëse ishte komunist. Vetëm kur ai tregoi pasaportën amerikane, turma e la që të kalonte atë. "Poshtë presidenti Ramiz Alia!” - thërrisnin ata me zërat e ngjirur. “Poshtë komunistët!”. Të tjerë në mes të turmës nxirrnin fjali të palidhura në gjuhë të huaja. "Tregojini botës atë që ju shikoni”, - tha një i ri në frëngjisht, me fytyrën e tij të skuqur nga emocionet. "Tregojini sesi ata janë duke na vrarë”, - tha një tjetër në anglisht.
Raportohen të shtëna në Durrës
Sipas biografisë së tij zyrtare, zoti Ramiz Alia, që drejton Partinë Komuniste, e cila ka qeverisur Shqipërinë për 46 vjet, ka lindur në Shkodër 65 vjet më parë. Presidenti pësoi disfatë në zonën e tij elektorale në Tiranë gjatë votimit të së dielës, por akoma nuk është e paqartë në tërësi nëse e parandalon kjo gjë që të jetë sërish president, pasi partia e tij fitoi shumicën në legjislaturën kombëtare.
Protesta dhe të shtëna të ngjashme nga ushtria ishin raportuar gjithashtu në qytetin portual të Durrësit, 30 milje larg nga kryeqyteti dhe 100 milje larg nga Shkodra. Thuhet se disa civilë janë plagosur, por nuk dihej numri i tij dhe shkalla e plagosjes. Associated Press njofton dhunë në katër qytete të tjera. Rreth 40 oficerë policie të pajisur me shkopinj gome dhe me armë sulmuan një grumbull me 1000 persona jashtë zyrave të Partisë Demokratike. Dëshmitarët që shikonin nga zyrat e partisë thanë se disa persona ishin qëlluar keqas. Associated Press thotë se një zyrtar i PD-së njoftoi se ka dhunë dhe protesta në Elbasan, Vaqar dhe Kavajë. Thirrjet e përsëritura për largimin e zotit Ramiz Alia shfaqen dukshëm herën e parë që ai kishte dalë publikisht, duke e denoncuar me emër. Deri më tani protestuesit antikomunistë këtu dhe në qytete të tjera, madje edhe në 12 muajt e fundit, kanë limituar sulmet e tyre kundër Enver Hoxhës, diktatori stalinist që vdiq 6 vjet më parë pas caktimit të zotit Ramiz Alia si pasardhës i tij. Nën presionin e revoltave popullore që u intensifikuan në qytetet e Shqipërisë në katër muajt e fundit, zoti Alia ra dakord që të mbahen zgjedhjet shumëpartiake. Votimet, të cilat u zhvilluan dy ditë më parë, përfshinë 95% të elektoratit prej 2 milionë zgjedhësish.
Sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konfirmoi se Partia Komuniste kishte fituar 2/3 e vendeve në Parlament, kryesisht me votën në zonat rurale në këtë vend kryesisht bujqësor.
Qytetet votuan fuqimisht për Partinë Demokratike, opozita e krijuar 3 muaj më parë, e cila është antikomuniste. Në Shkodër, një qytet me rreth 72 000 banorë që njihet si një qendër intelektuale në Shqipëri, të tërë kandidatëve demokratë të opozitës ishin zgjedhur me rezultate të jashtëzakonshme.
Brenda dy orëve pas qëndrimit të Xhelil Gjonit, rreth 1000 qytetarë të Shkodrës u organizuan, duke zhvilluar një grevë përpara zyrave të komunistëve këtu në qytet. Ata u shpërndanë paqësisht në mbrëmje, por në 7 të mëngjesit të sotëm, një grumbull me mbi 30 mijë vetë u mblodhën përpara zyrave në sheshin e quajtur “Midis dy kongreseve”, që ka kuptimin e periudhës midis dy kongreseve të Partisë Komuniste Shqiptare.
Shfaqen njësitë e ushtrisë
Një dëshmitar tha se ushtarë të armatosur u shfaqën befas në automjete dhe një oficer qëlloi që të provokonte turmën nëse ata do të largoheshin nga rruga “brenda dy minutave”. Koha kaloi dhe ai dha urdhër që të hapet zjarr mbi demonstruesit. Ata vranë në vend 24-vjeçarin Arben Broci, një inxhinier mekanik. Po ashtu, një 20-vjeçar dhe një 18-vjeçar.

Shkrimi është publikuar në “New York Times” më 3 prill 1991
Titulli është redaksional
Përgatiti: Albert Gjoka

BOX 1
Përkujtohet dita kur u vranë katër heronjtë e demokracisë

SHKODËR - Përkujtohet 17-vjetori i protestës së 2 prillit të vitit 1991 në qytetin e Shkodrës ku mbetën të vrarë katër të rinjë, të cilët janë shpallur “Heronj të demokracisë”. Në ceremonitë e organizuara me këtë rast ishin të pranishëm kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, drejtues të pushtetit vendor, partive politike, shoqatës së ish- të përndjekurve politikë, deputetë, etj. Zonja Topalli vendosi kurora me lule në memorialin ngritur në sheshin “2 Prilli’ të qytetit të Shkodrës, aty ku 17 vjet më parë dhanë jetën katër heronjtë e demokracisë, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu dhe dhjetra të tjerë u plagosën. “Ky memorial tregon jo vetëm se katër djemtë e Shkodrës sakrifikuan për të sjellë pluralizmin dhe demokracinë në Shqipëri, por edhe për dashurinë e madhe për integritetin, për qëndresën dhe për shpirtin e madh të sakrificës së këtij qyteti dhe gjithë Shqipërisë në ato momente”, tha Kryetarja e Kuvendit. “Sot jemi përsëri këtu dhe për t’u përulur në nderim të Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Nazmi Kryeziut dhe Besnik Cekës, të cilët me sakrificën e tyre bënë të mundur që vetëm pas 17 viteve, Shqipëria të shpresojë në marrjen e ftesës së anëtarësimit në NATO”, - tha kryeparlamentarja. Znj. Topalli u takua dhe me familjarët e katër dëshmorëve të demokracisë. Demonstrata e 2 prillit '91 ishte një revoltë masive, e cila në vetvete shprehu hapur pakënaqësinë që shkodranët kishin ndaj regjimit komunist, i cili i kishte persekutuar prej vitesh. Nismëtarëve kryesorë të kësaj demonstrate, nxënësve të gjimnazit "Jordan Misja" dhe mësuesve të tyre, iu bashkuan dhe shkollat e tjera të qytetit si dhe shumë qytetarë.

Gazeta amerikane koment për 2 prillin

Gazeta sjell edhe një herë për lexuesit e saj shkrimin e “The New York Times”-it, të shkruar para 17 vjetësh për ngjarjen e 2 prillit të vitit 1991, ku u vranë Arben Broci dhe tre të rinj të tjerë në protestën e organizuar dy ditë pas zgjedhjeve të para pluraliste të fituara nga ish-Partia Komuniste. Korrespondenti diplomatik, David Binder, një ndër njohësit dhe raportuesit më të mirë të gazetës amerikane, raporton direkt nga qyteti verior për një nga momentet më tragjike që ndodhi në muajt e parë të ndryshimit të sistemit në vendin tonë. Përmes këtij artikulli u bëhet thirrje demokracive Perëndimore që të mbështesin Shqipërinë, ndonëse në zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit të vitit 1991 fituan komunistët. Në atë kohë Shqipëria ishte anëtarësuar në disa organizata dhe kishte nënshkruar disa konventa për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, por incidente të tilla si ai i 2 prillit treguan se demokracia e porsalindur ishte ende e brishtë. David Binder sjell të gjitha rrethanat që çuan në protestën popullore të 2 prillit të vitit 1991, shkaqet e saj dhe sesi u vra Arben Broçi me katër të rinj të tjerë në sheshin para Komitetit të Partisë në Shkodër.

3 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›