Çerdhet shtetërore, kategoritë që përfitojnë këtë shërbim falas
Emanuela Sako
Bashkia e Tiranës ka mundësuar që një pjesë e fëmijëve të vegjël, të frekuentojnë çerdhet falas. Kështu në mbështetje të politikave sociale të Bashkisë së Tiranës dhe me vendim të Këshillit Bashkiak disa kategori fëmijësh përfitojnë reduktim të pagesës mujore, që është përcaktuar për çerdhet shtetërore. Gjithçka është realizuar për të mundësuar që fëmijët me probleme sociale në mënyrë që të frekuentojnë çerdhet edhe pse prindërit e tyre nuk kanë mundësi për të bërë pagesën mujore. Me problemet e papunësisë apo problemet e ndryshme familjare, dihet që shumica e familjeve nuk mund të çojnë fëmijët në këto qendra të edukimit të fëmijëve të vegjël. Për më tepër një familje mund të ketë dy fëmijë të vegjël dhe nuk ka mundësi tjetër për të lënë në duar të sigurta fëmijën vet. Ndërkohë që i duhet të punojë për të plotësuar nevojat e familjes. Prindërit që çojnë fëmijët në çerdhe duhet të paguajnë një shumë të hollash, parapagesë, prej 3500 lekë në muaj.
Kategoritë
Pagesa mujore që çdo prind i detyrohet shtetit të paguajë për çerdhen ku çon fëmijët reduktohet në zero, në disa raste. Në këto raste përfshihen familjet që janë në nevojë dhe që kanë probleme sociale. Për familjet që kanë dy apo më shumë fëmijë dhe që frekuentojnë kopshtin apo çerdhen, njëri nga fëmijët ka reduktim të pagesës deri në 50 për qind. Përfiton 100 për qind reduktim të pagesës, kur fëmija ka çrregullime të shëndetit mendor apo fizik. Po kështu, përfiton falas 100 për qind reduktim të pagesës për qëndrimin në çerdhe, kur njëri nga prindërit ka çrregullime mendore apo fizike. Ndërkohë që fëmija ka të drejtën të përfitojë falas frekuentimin e çerdheve edhe kur kryefamiljare është nëna, e cila mund të jetë e ve apo e shkurorëzuar. Për këtë kategori, ne shumicën e rasteve nenat e kanë të vështirë te kujdesen për fëmijët e tyre dhe të bëjnë pagesën mujore prej 3500 lekësh. Në kategorinë e përfitimeve falas përfshihen edhe rastet kur nëna është vajzë-nënë, domethënë që nuk është e martuar po ka lindur një fëmijë dhe fëmija e saj ka të drejtë të trajtohet falas në çerdhe. Familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe nuk kanë mundësi të bëjnë pagesën mujore, çerdhja është e detyruar që të kujdeset falas për fëmijën e këtyre prindërve.
Dokumentacioni
Prindërit që çojnë fëmijët në çerdhe duhet të dorëzojnë disa dokumente për të bërë regjistrimin e tyre në çerdhet përkatëse. Çerdhet e Tiranës janë të hapura për të gjithë fëmijët 0-3 vjeç, pavarësisht racës, ngjyrës, gjinisë, fesë, nivelit ekonomik, apo aftësisë etj. Për të regjistruar fëmijën, pranë çerdhes duhet të dorëzohen këto dokumente: Kartela e konsultorit, kartela e vaksinimit, certifikatë personale, analizat e koprokulturës, parapagesa prej 3500 lekësh. Para se të bëhet regjistrimi i fëmijës në çerdhe, prindërit paraprakisht duhet të njihen me kushtet, duke bërë një bisedë paraprake me drejtuesit e çerdheve.
3 Prill 2008