Bursat polake për vitin 2008, dokumentet për të aplikuar
Shkolla e Studimeve Lindore në Universitetin e Varshavës në Poloni, në kuadër të Programit të Bursave Btudimore, shpall konkursin e tetë për 25 bursa për studime pasuniversitare për kandidatë nga vende të Europës Qendrore dhe Juglindore, për vitin akademik 2008-2009. Programi i studimeve përmbledh tema në fushat: histori, politologji, histori arti, kulturë, gjeografi, juridik dhe ekonomi. Ndër kërkesat kryesore që parashikon programi i studimeve është përgatitja e temës në gjuhën polake në fund të kursit. Studimet zgjasin 10 muaj në vit, me bursë, për 2 vite akademikë (4 semestra). Programi parashikon mësimin e një gjuhe të huaj të rajonit. Mosha e aplikantit duhet të jetë deri në 30 vjeç. Studenti që shlyen të gjithë semestrat dhe mbron temën përfundimtare pajiset me diplomë të nivelit master, e cila njihet nga të gjitha vendet e BE-së. Afati i fundit për dorëzimin e dokumenteve me email është data 15 mars 2008. Komisioni përkatës i Qendrës së Studimeve Lindore pranë Universitetit të Varshavës do të shpallë listën e fituesve deri më 31 maj 2008.
Dokumentet
Aplikantët për studime pasuniversitare duhet të përgatisin dokumentet e mëposhtme dhe t’i dërgojnë on-line në www.studium.uw.edu.pl:
Kërkesën deri në dy faqe me letër motivimi, duke specifikuar fushën e studimit në të cilën aplikanti dëshiron të studiojë
Formularin e aplikimit, i cili gjendet në faqen e internetit: www.studium.uw.edu.pl
Diplomën e shkollës së lartë, fotokopjen e noterizuar
Listën e notave, fotokopjen e noterizuar
CV me fotografi (në anglisht)
Dy rekomandime
Programin e studimit
Listën e publikimeve
Certifikatë që vërteton njohjen e gjuhës polake
Certifikatën e lindjes me fotografi
J. Tashi
23 Shkurt 2008