E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ne Karten e identitetit edhe te dhena shendetsore

Projekti për t’i përfshirë brenda kartave të identitetit.
Emanuela Sako

Karta e shëndetit supozohet të jetë pjesë e kartës së identitetit. Burime nga ISKSH-ja deklaruan se kjo ide është mbështetur nga qeveria, e cila pranon përfshirjen e kartave të shëndetit brenda kartave të identitetit. Kjo do të thotë që vetë karta e identitetit të ketë shtesë edhe për elementet e kartës së shëndetit. Vendimmarrja se si do të veprohet, nëse do të zgjidhet kjo rrugë apo do të bëhen karta më vete për shëndetin, i takon instancave më të larta se ISKSH-ja. Sipas ISKSH-së, specifikimet teknike tashmë kanë përfunduar, tani pritet vetëm vendimmarrja e mënyrës se si do të bëhet më konkretisht karta e shëndetit, do të jetë më vete një kartë e mirëfilltë apo do të bëhet pjesë e kartës së identitetit.
Karta e shëndetit
Pacientët e siguruar do të pajisen me kartat e shëndetit, ku do të jenë të informatizuar të gjitha të dhënat për sëmundjet e tyre. Çdo pacient do të ketë kartën e tij shëndetësore ku do të pasqyrohen të dhënat e sëmundshmërisë, mënyra e kurimit e mjaft të dhëna të tjera. Kjo është një domosdoshmëri për hartimin e një strategjie dhe një mënyrë e paraqitjes konkrete të njohjes së problemeve shëndetësore që do të shërbejë gjatë vizitave nga një mjek te tjetri. Çdo mjek mund të marrë informacionin e duhur nëpërmjet të dhënave të regjistruara në kompjuter për pacientët që i shkojnë për kurim. Nëpërmjet këtyre të dhënave do të njohë se nga çfarë sëmundjeje ka vuajtur më parë një pacient dhe çfarë kure ka marrë, nëpërmjet këtyre të dhënave do ta ketë më të lehtë për kryerjen e vizitës. Kështu, do të krijohet edhe komponenti i Portalit, përmes të cilit të gjithë qytetarët e siguruar do të marrin informacione të ndryshme mbi historikun e tyre shëndetësor. Të gjitha të dhënat e një pacienti do të jenë të kompjuterizuara saktë për secilin nga pacientët e siguruar.
Projekti
Sipas ISKSH-së, për këtë iniciativë është mbështetja e Bankës Botërore, përsa i takon financimit që kap vlerën 5 milionë dollarë. Ekspertët e ISKSH-së, në bashkëpunim me ata të Bankës Botërore, kanë përfunduar të gjitha specifikimet teknike dhe mbetet për t’u përfunduar brenda pak ditësh vlerësimi përfundimtar i tyre nga Banka Botërore. Njësia e Zbatimit të Projektit në Ministrinë e Shëndetësisë do të kryejë përgatitjen e dokumenteve standarde të tenderimit. Tenderi për prodhimin e kartave do të organizohet nga Banka Botërore dhe do të shtrihet në disa faza. Tashmë kohën fizike që kërkojnë këto procedura e përcakton Banka Botërore, e cila pritet të çojë në fund procesin e rëndësishëm të kartave për pacientët e siguruar.

23 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›