Eksplozioni i shovinizmit Serb përballë lirisë sigurisë dhe paqes
Nga Luan MULLAJ
Bota memorizoi në kujtesën historike veprën më të fundit të shovinizmit serb. Ajo përjetoi me sytë e saj nëpërmjet frekuencave CNN etj dhe valëve të radiove të ndryshme ngjarjet tragjike të mbrëmjes së 21 Shkurtit 2008 në Beograd, gjatë dhe pas një mitingu proteste kundër pavarësisë së Kosovës.
Fjalime dhe thirrje histerike udhëheqësish të ndryshëm serbë nga tribuna. Dhunë, vandalizma, sulme selish diplomatike-djegie të tyre, etj., prapa skenave dhe kuintave të tilla të miratuara prej tribunave të tyre. Fyerje dhe kërcënime ndaj SHBA, Francës, Britanisë, Gjermanisë, Italisë, Kanadasë, NATO-s dhe shumë vendeve moderatorë të Perëndimit, etj.
Për të mos përshkruar terrorizmin antidiplomatik të Serbisë, pasi atë pa komente mund ta deshifrojë dhe kuptojë secili duke parë në TV ose dëgjuar në mjetet e telekomunikimit bashkohorë atë çfarë ndodhi këtë mbrëmje ekspozive në Beograd, po ndalemi në atë çfarë ajo sjell në vëmendje të mbarë opinionit botëror.
- Të mbytur në errësirën e megalomanisë shoviniste të udhëheqësve të tyre dhe me nxitjen e kreut të Kishës Ortodokse Serbe, Serbia demonstroi orën e mbetur prapa tek koha Millosheviç e deri tek ajo e Gjeorgjeviçëve dhe rrezikun eminent që ajo sjell për paqen në rajon, i cili është prezent.
Për ta mirëkuptuar këtë po citoj një pjesë të përgjigjes së Wesley Clark dhënë CNN dy ditë më parë, ku thotë: “Qeveria Serbe duhet ti mësojë njerëzit që jemi në shekullin e 21-të”.
-Kriza e identitetit territorial të Serbisë është e vërteta e pushtimit dhe mbajtjes me dhune e të burgosurve të një populli tjetër, në trojet e veta, që edhe kur ka demonstruar për lirinë e tij, nuk ka demonstruar asgjë të përbashkët me ato çfarë komuniteti ndërkombëtar pa në Beograd, me ndryshimin e vetëm që edhe pse shqiptaret e Kosovës ishin dhe silleshin paqësorë, policia dhe ushtria serbe i ka masakruar sikur ata të ishin terroristë, ndërsa vandalët terroristë serbë të 21 Shkurtit mbasi kryen misionin e bekuar, u përkëdhelen nga forcat e sigurisë që mbërritën me vonesë në vendin e krimit diplomatik dhe “siguruan perimetrin” e sigurisë, e vunë situatën “nën kontroll” pasi u dogjën e shkatërruan seli të shenjtërimit të shteteve të akredituara dhe siguruara me garanci të shtetit serb.
Dikush mund të pyesë: Pse kështu vallë? Dikush tjetër mund të thotë: Ku shikon dritë në tunelin ku është qerthull kjo Serbia?
Për të qenë pak eksplicit në përgjigje të këtyre do të citoj një përgjigje të po dy ditëve më parë të Richard Hollbruck kur i thotë gazetares së CNN: “Serbia është kriza e vërtetë e Europës”. Sigurisht, përderisa BE-ja nuk ishte unike në qëndrim ndaj Kosovës i dha kohë e frymëzim ekstremizmit të ri në gjurmët e vjetra të Serbisë. Kostoja e tij është kosto për Europën dhe dëm i pariparueshëm për vetë Serbinë.
-Kundrejt gjithë këtij ekstremizmi që edhe në vendet e evidentuara si bartëse të dhunës e terrorizmit rrallë se shfaqet me kaq barbari dhe pathos, Europa duhet të jetë vigjilente, ndërsa NATO është në vigjilje të lirisë së saj, rajoni Ballkanit duhet të jetë sy çelur dhe gjakftohtë përballë barbarisë shoviniste që po ngre krye, që nëse nuk i vihet fre rrezikon lirinë e tij.
Por si për ti dhënë përgjigje një shqetësimi të ligjshëm pas demonstrimit serb në Beograd, është shumë kuptimplote për të gjithë faktorët e interesuar padyshim së pari për Serbinë, por edhe miqtë e këqij të saj, që e këshillojnë apo mbështesin keq atë, deklarimi i William Cohen kur i përgjigjet interesimit të CNN ku thotë: “Përkrahja e rrugës së shovinizmit dëmton rëndë Serbinë dhe të ardhmen e saj. Nuk ka kthim tek gjendja e vitit 1999, Kosovën do ta mbrojmë me çdo mundësi, pasi pavarësinë e saj e kanë njohur aleatët tanë dhe shumica e komunitetit ndërkombëtar”.
Duke lidhur ngjarjet me përgjigjet e tre protagonisteve të rëndësishëm të vitit 1999 që u morën me Millosheviçin dhe klikën e tij deri sa i treguan vendin që meritonte, natyrshëm përgjigja është se; - kthim mbrapa dhe tolerim për Serbinë nuk ka dhe nuk do të ketë.
Eksplozioni i saj është vetasimilues, kokat e ftohta në Serbi duhet të kontrollojnë lirinë dhe paqen e ofruar nga BE dhe SHBA, që populli serb të jetojë në paqe me veten dhe të tjerët, ndërsa bota ndaj fenomenit duhet të jetë vigjilente, për ruajtjen e paqes, lirisë dhe sigurisë së saj.
23 Shkurt 2008