E Diel, 1 Nëntor 2026

Bursistët ndërkombëtarë të Vjenës në një koncert gala në Operan e Tiranës



Një koncert i madh gala me bursistët e Vjenës do të mbahet në datën 26 qershor në sallën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë. Ndërsa Shqipëria do të përfaqësohet nga solistët tashmë të afirmuar si Vikena Kamenica, Sidrit Bejleri dhe Eriona Gjyzeli, nuk do të mungojnë këngëtarët nga Serbia (Dragoljub Bajic), baritoni bullgar i teatrit të Sofjes, Kiril Todorov Manolov, sopranoja nga Zagrebi Marija Kuhar etj. Projekti i bursistëve të Vjenës është një nismë disa vjeçare, pjesë e së cilës është bërë kohët e fundit edhe TKOB. CEE MusicTheatre në Vienë trajnon solistët më të mirë të rajonit të Europës Qëndrore dhe Juglindore. E pikërisht, artistët më të mirë të këtyre viteve do të performojnë në Tiranë në datën 26 qershor, ora 18.30 me repertorin e tyre më të zgjedhur. Interpretuesit vijnë nga Kroacia, Sllovenia, Rumania, Serbia, Bullgaria dhe Maqedonia. Gjithashtu, me këtë rast do të jetë i ftuar nderi dhe drejtori i
Operas Shtetërore të Vjenës dr. Ioan Holender. Shoqata Musikteater CEE është themeluar në prill 2004 nga Fondacioni i Bankës Gjermane Stiftung së bashku me Sekretariatin e Shtetit Austriak për Artin dhe Median. Qëllimi i kësaj nisme ndër-kufitare është e ardhmja e orientuar drejt promovimit të teatrove muzikorë ekzistuese në Europën Qendrore dhe Lindore si një forcë lëvizëse e jetës kulturore. Në të kaluarën, Opera Shtetërore e Vjenës dhe Fondacioni Kulturor i Bankës Gjermane ka organizuar disa konferenca të drejtorëve të operave në Vjenë. Gjatë këtyre takimeve, u kristalizua ideja, e cila përfundimisht çoi në krijimin e shoqatës CEE Muzikteater që konsistonte në krijimin e një rrjeti për mbështetjen e vendeve në rajon, ku teatrot e muzikës përballojnë vështirësi të shkaktuara nga buxhetet e pamjaftueshme. Kjo iniciativë e përbashkët artistike synon të kontribuojë në rritjen e cilësisë së produksioneve në të cilën çdo mbështetje i korrenspondon një kërkese të veçantë nga çdo teatër i operës. Pra, ky program ka për qëllim të ofrojë një nxitje financiare të këngëtarëve të rinj nën 30 vjeç që tashmë janë duke punuar me kontratë të vlefshme "në shtëpi” në teatrin e tyre të operas. Kjo mbështetje financiare në formë të bursave mujore u siguron të rinjve kohë të mjaftueshme për të studiuar dhe për të arritur një repertor individual. Kjo mundësi për të realizuar role të ndryshme çon në shtimin e përvojave skenike. Për më tepër, solistët janë të mbështetur nga akademia vjetore verore në Austri, ku muzika dhe talenti interpretues mund të zgjerohet më shumë në disa takime pune.

24 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›