Moikom Zeqo dhe zbulimi i “Adamit të fshehur”
Petrika GROSI
Pas botimit më të fundit të tij, shkrimtari Moikom Zeqo na surprizon përsëri me librin e ri “Adami i fshehur”, që paraqitet si një përmbledhje me rrëfime onirike dhe etyde. Nisur me librin paraardhës “Gjumashët e Efestit” dhe vijuar tashmë, me botimin për të cilin po flasim, Moikom Zeqo ka nisur të institucionalizojë me sukses krijimtarinë e vet në prozën e shkurtër, sikundër veproi me poezinë e tij, e cila u institucionalizua në gjashtë vëllimet “Miscellanea”. Sa i takon librit “Adami i fshehur”, padyshim që kemi të bëjmë me një koleksion dhe ka një kronologji. Në të janë përfshirë mbi 150 tregime të shkruara prej autorit nga viti 1969 e deri më sot.
Proza e shkurtër është prova më e rëndë për një shkrimtar, duke qenë se proza e shkurtër paraqet një rrezik më shumë për autorin se sa ajo e gjatë; nëse proza e shkurtër do të realizohet në hapësirën e saj të përcaktuar, atëherë ka dy rrugë; ose të mbarsë vlerat e një romani të mirë, ose në të kundërt, të jetë e dështuar si konceptim. Kësaj prove shkrimtari Zeqo duket se i rreziston dhe kështu ai e artikulon sfidën e tij. “Adami i fshehur” nuk duhet parë thjesht si një përmbledhje por si një mënyrë për ta kuptuar edhe më mirë se më parë Moikom Zeqon.
Padashur të bëj një analizë shterruese, duhet të ravijëzoj disa ide kryesore të librit; Ai bazohet mbi një mënyrë narrative krejt të ndryshme në raport me prozat e autorëve të tjerë. Zeqo nuk i shmanget fabulës së rrëfimit, por ai bën thyerrje në strukturën e kësaj fabule, me guxim e me një lehtësi të çuditshme, për ta bërë prozën e shkurtër një koncentrim tërheqës të të vërtetave të jetës. Klasifikimi i kësaj proze mund të bëhej në disa lloje. Shkrimtari shkruan një prozë të llojit klasik por me shumë nënshtresa kuptimore, për të arritur më pas në një zhdërvjelltësi më të madhe dhe më pretenduese. Ai arrin te lloji i tregimit metafizik që e kanë lëvruar në të kaluarën shkrimtarë të famshëm si Kafka e Borgesi, duke ruajtur origjinalitetin, substancën dhe stilin vetjak. Tipike të tilla janë tregimet “Perëndia I”, “Adami i fshehur”, “Rebelimi i Nembrotit”, “Takim me Dalaj Lamën” dhe “Libri i shpirtrave”. Në këto tregime vija kompozicionale nuk ka karakter linear por është e ndërthurrur në fomrën e një labirinthi me shumë struktura ideore që hyjnë e dalin te njëra tjetra. Padyshim, Moikom Zeqo tregon një mjeshtëri të veçantë.
Spikat në këtë rrafsh tregimi i gjatë “Çmenduria”, ku Zeqo kinse duke përshkruar verbalizimin e një të çmenduri (Rubar B) shtron problemin nëse letërsia e vërtetë është psikografi, nëse të shkruarit në mënyrë të çmendur mund të përbëjë një estetikë apo është thjeshtë një marrëzi... Ky tregim të rrëqeth dhe të vë në mendime. Kalimi nëpër kohëra të ndryshme dhe në hapësira të të njëjtit personazh është një nga truket artistike të autorit. Një tjetër tregim “Truglacumi dhe njeriu i balonës” të çon në një realitet abstrakt, shpik një vend të paqenë, krijon një popull virtual dhe një qytetërim të ri. Ky tregim shtron problemin e zhvillimit evolucionar të historisë njerzore ndërmjet gabimeve e paradokseve, duke i mëshuar idesë se asnjëherë nuk ka histori normale por gjithmonë, histori paradoksale. Ky është një process emancipimi i vështirë. Zeqo përdor edhe forma tejet të shkurtra të prozës, një numër skicash nga pesë deri në dhjetë radhë, formë e parapëlqyer nga Kafka e Buxati. Ato janë më shumë sinpose ose ftillesa që mund të lindin ndoshta dhe romane. Në tregimet e Zeqos ka shumë gërshetime qytetërimesh e kulturash, ai përdor parabola mistike ose teknikën e sofistikuar të ëndrrës. Në këtë kuptim, libri është i pangjashëm me librat e botuar në Shqipëri; ka një metafizikë të meditimit, duke ngulmuar të japë një filozofi të fjalëve dhe të ideve në mënyrë sinkretike. Kapriçioz, i befasishëm, autori ngre gracka për lexuesin, shpesh këto kurrthe janë të vështira, gjë që bën të mundur atë që do në mënyrë të fshehtë e dinake Moikom Zeqo, rileximin. Natyrisht që kritikët dhe estetët e letërsisë mund të thonë gjëra më të sakta e më estete për këtë libër. Ndërkaq, nga proza e gjatë e autorit do të veçonim tituj si “Kështu foli Mona Liza”, “Mes Laukontit dhe Krishtit”, “Syri i tretë” dhe kryeveprën e tij të jetës “Grishja e Florimontit”, të cilën Dritëro Agolli e ka quajtur një prozë të madhe të nivelit të Umberto Ekos. E meqënëse kaluam te kritika, akademiku Ali Aliu do të shprehej me këto fjalë për prozën e Moikom Zeqos: “Rrëfimet në prozë të Zeqos janë një kopësht i madh erudicioni, kulturash dhe qytetërimesh. Proza e tij me dije të gjerë, në momente si të shkëputura, pezull në kohë dhe hapësirë, të kundërta dhe përjashtuese, nën pushtetin e imagjinatës të thuash ‘të çmendur’ të autorit vihet në një fillim të përbashkët, edhe ahere kur kjo duket e paimagjinueshme.
E bën këtë me lehtësinë e një magjistari që kërcen e lëviz nëpër shekuj e hapësirë si në kopështin e vet.” Kurse poeti Frederik Rreshpja ka shkruar: “Ashtu si Kadareja i madh, Moikom Zeqo përbën një fenomen në letrat shqipe dhe jo më kot po i përqas këto dy figura madhore dhe autoritare. Fenomeni ‘Moikom Zeqo’ është koncetrimi i një intelektualiteti të lartë, etapë e re e letërsisë dhe e kulturës shqiptare”. Së fundi, esteti i njohur akademik Alfred Uçi do të shprehej se “Zeqo është përfaqësues origjinal dhe i shquar i postmodernizmit shqiptar. Në këtë periudhë nuk kam konstatuar asnjë shkrimtar tjetër që të ketë krijuar një vepër polidimensionale dhe estetikisht polifonike si vepra e tij.”
24 Qershor 2009