E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bush: Kosova në listën e shteteve të preferuara

Uashington - Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë intensifikuar edhe më tej marrëdhëniet bilaterale me Republikën e Kosovës dhe në kuadër të zhvillimit të tyre në fushën ekonomike prej dje i kanë njohur statusin e shtetit në radhën e vendeve nga të cilat mund të importohen mallëra pa taksa doganore.

Kjo është bërë publike në një letër që presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George Bush i ka dërguar liderëve të të dy dhomave të Kongresit, Dhomës së Përfaqësuesve dhe asaj të Senatit.
"Më 17 shkurt Kosova ka shpallur pavarësinë nga Serbia dhe në dritë të kësaj unë kam vendosur që Kosova të jetë një përfituese e veçantë në kuadër të programit të Sistemit Gjeneral të Preferencave (GSP) për vendet në zhvillim", thuhet në letrën që presidenti amerikan i dërgon liderëve të Kongresit.

Programi i ashtuquajtur GSP (Sistemi Gjeneral i Preferencave) është krijuar nga Kongresi Amerikan me qëllim që t'u shërbejë si një urë ndihmëse vendeve në zhvillim derisa ato rrisin pjesëmarrjen e tyre në sistemin global të tregut. Kjo njëkohësisht u ndihmon edhe konsumatorëve dhe industrisë amerikane të zgjerojnë mundësinë e tyre të zgjedhjes.

Importi i SHBA nga 131 vendet që e gëzojnë këtë status, të cilave prej dje ju shtua edhe Republika e Kosovës, arrinë shumën prej 32 miliardë dollarë në vit, ndërsa në këtë listë hyjnë mbi 4650 prodhime të ndryshme.

Në kumtesën e Shtëpisë së Bardhë thuhej se prej dje në këtë program përveç Kosovës është bashkangjitur edhe Azerbajxhan. RTK

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›